Vapa shënon 2 viktima në një ditë

Vapa u merr jetën dy personave brenda pak orëve. Një 46-vjeçar u mbyt mesditën e djeshme në ujërat e Adriatikut, në Gjirin e Lalëzit në Durrës, ndërsa pasdite, në lumin Shkumbin, në Librazhd, humbi jetën një 16-vjeçar.Sipas Policisë, adoleshenti nuk ka mundur t’i rezistojë dëshirës për t’u freskuar në ujërat e lumit, por nuk ka dalë më i gjallë prej tij. Banori i fshatit Bërzesht, Ardian Vasku, ishte nisur drejt lumit bashkë me kushërinjtë më të vegjël dhe disa shokë të tij për t’u ndalur në vendin e quajtur Berzesht-Qukës. Në një moment ai është dalluar nga shokët teksa përpiqej të dilte nga uji dhe këta të fundit e kanë nxjerrë dhe e kanë dërguar menjëherë në ambulancën e fshatit. Edhe pse ndërhyrja e infermierëve në fshat ka qenë e menjëhershme, djali nuk ka mundur të jetojë. Policia, e cila u ndodh në vendin e ngjarjes, pasi mori deklarimin e shokëve të 16-vjeçarit, nisi hetimet për të zbardhur të plotë rrethanat e vdekjes së tij, nëse ka pësuar ndonjë atak nga uji i ftohtë, apo është mbytur nga mosditja mirë e notit. I njëjti dyshim është dhe për viktimën e Durrësit, i cili shënon viktimën e pestë në këtë qark brenda tri javësh. Hysen Korriku, 46 vjeç, nga Preza e Tiranës, mësohet se ka qenë duke u larë në det në momentin e mbytjes, edhe pse shkaqet janë ende të paqarta. Policia dyshon se gjatë kontaktit me ujin viktima mund të ketë pësuar një atak kardiak, por që mbetet ende e papërcaktuar nga ana e ekspertëve mjekoligjorë deri në daljen e rezultatit përfundimtar. Sipas pohimeve policore, Korriku kishte shkuar në plazh së bashku me familjarët e tij për të kaluar pushimet, por në momentin që është futur në det për t’u larë, ai nuk ka mundur të dalë i gjallë prej andej. Sipas dëshmisë së personave të dhënë për policinë e Durrësit mësohet se 46-vjeçari ishte futur i vetëm në det dhe sapo ishte larguar disa metra nga bregu, si pasojë e dallgëve dhe thellësisë, nuk ka mundur të dale sërish në breg. Pushuesit, të cilët po laheshin pranë, kanë nxituar për t’i dhënë ndihmën e parë, duke e nxjerrë të gjallë deri në breg, por ai ka ndërruar jetë vetëm pak minuta më vonë. Më pas trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit rajonal të Durrësit, ku dhe po i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes. Me humbjen e jetës së 46-vjeçarit Hysen Korriku shkon në katër numri i pushuesve që kanë humbur jetën në ujë rat e detit Adriatik gjatë këtij sezoni turistik. Ergys Duraku, nga Tirana, ishte viktima e parë që u regjistrua në afërsi të Shkëmbit të Kavajës, më pas në Gjirin e Lalëzit, ku humbi jetën 11-vjeçarja Franceska Keta nga Rada, për të vijuar me një tjetër mbytje po në afërsi të Shkëmbit të Kavajës të një 89-vjeçari. Edhe në plazhin e Gjirit të Lalëzit mungojnë rojet bregdetare, që në rastin e fundit mund të kishin parandaluar mbytjen e Korrikut.


(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment