Takimi, Kosova, pikë doganore në Durrës

Kosova do të ketë një pikë doganore të sajën në Portin e Durrësit për të gjitha mallrat që kalojnë tranzit nga vendi ynë në shtetin fqinj. Propozimi i bërë nga pala kosovare është mirëpritur nga Ministria jonë e Financave, e cila ka ofruar gatishmërinë e saj për realizimin e këtij projekti, që do të shërbejë mes të tjerave për të shkëmbyer informacion të rëndësishëm doganor. Ky propozim por dhe të tjerë që synojnë lehtësimin e barrierave doganore mes Kosovës e Shqipërisë, që gjithashtu do të ndihmojnë në intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, kanë qenë në qendër të diskutimeve në takimin e djeshëm të ministrit Ridvan Bode me Zv.kryeministren e Kosovës, Mimoza Kusari -Lila. Ky takim vjen jo shumë larg nga koha kur mes dy vendeve pati “probleme” për çmimet e referencës, që shiheshin nga biznesi si një pengesë. Që të evitohet ky ngërç për bizneset e të dyja vendeve, ministri Bode theksoi se në stadin aktual të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike e tregtare, një mundësi e mirë intensifikimi për to është krijimi i hapësirave të përbashkëta doganore, duke nisur së pari me krijimin e grupeve të përbashkëta pune midis Ministrisë së Financave të Shqipërisë dhe të Kosovës për studimin e opsioneve të unifikimit të tregut. Ndërkaq, sa i përket çmimit të referencës në tregtinë mes dy vendeve, palët kanë rënë dakord që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, siç është ajo e aplikimit të vlerës së transaksionit në doganat respektive, për produktet origjinare nga të dy vendet.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment