Malaj: Buxheti ne krizë

Ish-ministri i Financave Arben Malaj thotë se deklaratat e forta publike të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që si asnjëherë tjetër i kërkoi publikisht qeverisë të rrisë taksat janë tregues i qartë se financat e vendit ndodhen në pikë kritike.

“Në të gjitha rastet e krizave, pesha kryesore e paketës është tek shkurtimi i shpenzimeve ose kontrolli i keqpërdorimit të shpenzimeve. Në rastet kur rekomandohet edhe rishikimi i të ardhurave ajo është dëshmi e qartë që pacienti është në një gjendje të përkeqësuar”, tha Malaj.

Zoti Malaj, një nga zërat e fortë kritik të politikave, që nxisin ulje të forta të taksave, mbron tezën se sistemi aktual i taksës së sheshtë 10 për qind nuk garanton qëndrueshmërinë financiare të vendit dhe prodhon kriza tek financat publike.

“Besoj se edhe qeveria tashmë e pranoi që revolucioni fiskal i taksave më të ulëta në botë dështoi duke mos marrë përgjegjësi për të bërë një reformë të kotë edhe të strukturës së taksave të nivelit të shkurtimit të shpenzimeve, qeveria me populizmin e saj, me një nivel borxhi deri në 16 përqind po që është më i lartë dhe tenton të rritet është duke e cuar vendin drejt një situate kritike”, tha Malaj.

Për shkak të mungesës së burimeve financiare, qeveria u detyra për të tretin vit radhazi që të shkurtojë shpenzimet buxhetore.

“20 miliardë lekë janë rreth 95 përqind e të gjitha shpenzimeve që paguan qeveria shqiptare për sistemin shëndetësor publik, që në total me buxhetin e tyre janë rreth 27 miliardë lekë, oese janë rreth 25 përqidn e investimeve me burime të brendshme që realizohen në ekonominë shqiptare. Cdo përkeqësim i mëtejshëm i financave publike, gjithnjë e më tepër do të rrisë shkurtimin e shpenzimeve”, tha Malaj.

Disa ekspertë druhen se uljet e përvitshme që po i bën qeveria shpenzimeve buxhetore mund ta fusë vendin në një rreth vicioz, me një situatë të ngjashme si ajo e Greqisë fqinje ku rënia ekonomike detyron qeverinë të shkurtojë shpenzimet buxhetore, por nga ana tjetër shkurtimi i shpenzimeve tkurr edhe më rritjen ekonomike.




(www.top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment