Hapja e 11 kutive të reja, PS voton pro në KQZ

Rivlerësimi i votave të kontestuara për kryetar të Bashkisë së Tiranës nuk ka dhënë rezultatin e pritur për demokratët. 11 kutitë e hapura dje nga 26 të tilla të evidentuara në aneksin e kërkesë-ankesës së paraqitur nga PD, se mbartin zarfe fletësh votimi të kontestuara gjatë procesit të numërimit nga GNV-të, nuk kanë dalë sipas parashikimeve. Në shumicën e rasteve nuk janë gjetur zarfat përkatës dhe në kutitë tjera kanë janë gjetur 2 fletë votimi të vlefshme më shumë për kandidatin socialist Edi Rama. Kjo ka sjellë që në total, kur kanë mbetur edhe 14 kuti të tjera për t’u marrë në shqyrtim për rivlerësim, rezultati i përgjithshëm për zgjedhjet për kryetar të Bashkisë Tiranë është 79 vota plus kandidati demokrat Lulëzim Basha.

Debati

KQZ ka vendosur dje me 4 vota pro dhe 3 kundër të hapë kutitë ku gjenden fletët e kontestuara për kryetar të Bashkisë Tiranë. Para se të vinte në këtë vendim KQZ sërish është përfshirë në debat, pasi, sipas anëtarëve të majtë të këtij komisioni, si dhe përfaqësuesit socialistë në të, nuk ka një shkak ligjor që këto kuti duhet të hapen dhe këto fletë votimi duhet të rivlerësohen. “Evidentimi i vendit ku gjenden fletët e kontestuara nuk përbën një shkak apo një arsye të ligjshme për të hapur kutitë dhe për të bërë rivlerësim të votave të kontestuara. KZAZ-të kanë bërë vlerësimin e tyre dhe kanë pasqyruar rezultatin e dalë nëpër tabela. Pra, duhet të ketë një shkak të ligjshëm për ta bërë këtë gjë”, - tha nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Por sipas avokatit demokrat ekzistojnë dyshime se procesi i vlerësimit të votave të kontestuara nga ana e KZAZ-ve nuk ka qenë ligjor. Ndaj, ka theksuar ai, - bëhet e nevojshme që të ndërmerret ky hap, aq më shumë që këtë të drejtë çdo subjekti politik ia jep Kodi për të rivlerësuar “vota të caktuara”. “Ne kërkojmë që votat e kontestuara të rivlerësohen, pasi dyshojmë në vlerësimin që atyre u është bërë nga KZAZ”, - tha avokati demokrat Ivi Kaso.

Rivlerësimi

Nga 11 kutitë e marra në shqyrtim dje, në 7 prej tyre nuk është gjetur zarfi i fletëve të kontestuara pasi komisionerët e KZAZ-ve, votat e kontestuara pasi i kishin vlerësuar i kishin shpërndarë në zarfat e votave të vlefshme të kandidatëve. Një procedurë kjo që sipas drejtorëve të KQZ-së ka qenë e parregullt, pasi ato duhet të ishin vendosur në zarfin e fletëve të kontestuara. Në vetëm 4 kuti janë gjetur fletët e kontestuara dhe në dy prej tyre është lënë në fuqi vlerësimi që kishte bërë KZAZ, pra duke lënë në fuqi dhe rezultatin e saj. Në vetëm dy kuti është bërë e mundur rivlerësimi, ku në një rast edhe anëtarët e majtë të KQZ-së kanë votuar pro vlerësimit të votave. Më konkretisht në kutinë me numër 1847 janë gjetur 9 fletë votimi, për 8 prej të cilave të gjithë anëtarët e KQZ-së kanë patur vlerësim të njëjtë dhe një tjetër është vlerësuar pro Bashës me 4 votat e shumicës së djathtë dhe 2 vota kundër të anëtarëve të majtë. Po ashtu debat ka shkaktuar dhe një fletë votimi e kontestuar e gjetur në kutinë më numër 1931, e cila me shumicën e votave të anëtarëve të djathtë është vlerësuar në favor të Bashës. Debat ka shkaktuar dhe fletë votimi e gjetur në kutinë me numër 1933, pasi anëtarët e djathtë e kanë vlerësuar atë si të pavlefshme, pasi zgjedhësi shenjën sigluese e kishte vendosur në emrin e kandidatit Rama dhe jo në kutinë e caktuar. Në total dje janë rivlerësuar si të vlefshme 6 fletë për Edi Ramën dhe 4 për Lulëzim Bashën. Procesi i rivlerësimit të kutive të tjera do vijojë edhe sot.
(mapo.al)

No comments:

Post a Comment