Përleshja me Rozana Radin, Rezarta nën akuzë për dhunë

Këngëtarja e njohur Rezarta Shkurta ka marrë zyrtarisht statusin e të pandehurës dhe është vënë nën akuzë për veprën e “dëmtimeve fizike me dashje” ndaj koleges së saj Rozana Radi, pas përleshjes mes tyre në fund të vitit të kaluar.Prokuroria e Tiranës i ka njoftuar akuzën këngëtares Rezarta Shkurta, duke i dhënë kështu cilësinë e të pandehurës në lidhje me incidentin e ndodhur mes saj dhe Rozana Radit, muaj më parë. Pas seancash të gjata e të përsëritura pyetjesh e deklarimesh në Prokurori me këngëtaret dhe dëshmitarët, grupi i hetimit ka arritur t’i japë drejtim çështjes penale. Burimet nga organi i akuzës thanë se pas konkludimit të veprimeve hetimore, disa ditë më parë prokuroria i ka kërkuar Rezarta Shkurtës të paraqitet në zyrat e hetuesve, ku i është njoftuar akuza e dëmtimeve të tjera me dashje në dëm të Rozana Radit. Prova më e fortë për këtë ka qenë një raport mjekësor që Rozana kishte kryer menjëherë pas përleshjes me Rezarta Shkurtën, më 6 dhjetor 2010. Sipas raportit mjekësor, Rozana Radi ka pasur dëmtime në fytyrë dhe hematomë pranë njërit sy. Ngjarja ndodhi në ditët e para të dhjetorit 2010, por ishte vijim i një konflikti të nisur kohë më parë mes këngëtareve, kur ato të dyja ishin të pranishme në spektaklin “VIP Shtëpia” në Kosovë. Pas incidenteve të vazhdueshme mes tyre e, madje edhe kërcënimeve me telefonata dhe në Facebook, më 6 dhjetor 2010 dy këngëtaret janë takuar mes tyre në periferi të Tiranës dhe, pas një debati verbal, janë përleshur fizikisht. Këngëtarja Rozana Radi pësoi dëmtime në pjesën e fytyrës dhe, më pas, me anë të një raporti mjeko-ligjor, depozitoi kallëzim penal në polici për kolegen e saj Rezarta Shkurta. Edhe kjo e fundit nuk qëndroi duarkryq, por denoncoi për dhunë të ndërsjellë këngëtaren Rozana Radi. Ndodhur nën dy pretendime të kundërta të këngëtareve, Policia ia referoi dosjen Prokurorisë për vlerësim. Prokuroria kreu verifikime komplekse në krejt kronologjinë e incidenteve mes dy këngëtareve, duke sqaruar edhe motivin personal të tyre. Gjatë hetimit në Prokurori dhanë deklarime një numër dëshmitarësh, mes të cilëve artistë e të njohur të këngëtareve. Në një deklaratë për median pas incidentit më 6 dhjetor 2010, Rezarta Shkurta deklaroi se ishte vetëmbrojtur nga sulmi i Rozana Radit, por kjo e fundit mohoi të kishte kryer ndonjë veprim ndaj koleges së vet, të cilën e akuzoi për dhunë me gjithë bashkëshortin e saj.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment