Dje burimet zyrtare të METE-s deklaruan se kanë gjobitur me 500 mijë euro kompaninë e Shpërndarjes së Energjisë, CEZ Albania. Kjo është gjoba e dytë brenda një jave, për të njëjtin motiv: Shkelje të rënda gjatë procesit të instalimit të matësve. Sipas një njoftimi për shtyp të ministrisë, kjo gjobë erdhi pas ankesave të shumta të qytetareve për mënyrën abuzive të vendosjes së sahateve në familjet shqiptare. Drejtoria e Metrologjisë ka konstatuar se matësit e vendosur nga kjo kompani nuk janë verifikuar apo kolauduar përpara se të vihen në përdorim. Më datë 27 tetor, rreth një javë më parë, ministria gjobiti “CEZ”-in me 30 milionë lekë të reja për shkak të abuzimeve të konstatuara. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, edhe pas takimeve të shumta me përfaqësues të CEZ-it, nuk është marrë asnjë masë nga këta të fundit. Burimet deklarojnë se pas ankesave të shumta të konsumatorëve në METE dhe pas verifikimeve të DPM për aparatet matës, drejtuesit e METE dhe DPM vendosën penalizimin e kompanisë CEZ shpërndarje, konform ligjit. Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës paralajmëroi më parë CEZ se, nëse CEZ nuk merr masa të shpejta dhe të menjëhershme për rregullimin e situatës dhe zbatimin e ligjit, penalizimet nga METE do të vijojnë edhe më të forta. Dhe ja ku dje erdhi përforcimi i penalitetit, duke vënë një gjobë të re 500 mijë euro. Ndërsa një kontratë shërbimi për kontrollin dhe kolaudimin e matësve është miratuar në muajin korrik të këtij viti në Kuvend. Objekti i kësaj kontrate të realizuar midis palëve konsiston në: verifikimin e saktësisë së aparateve matëse të energjisë dhe kolaudimin e tyre, në momentin e vendosjes për herë të parë në treg ose para përdorimit (instalimit) për herë të parë te konsumatori. Gjithashtu, kontrata përmban inspektimin periodik për verifikimin e saktësisë së aparateve matës dhe të sistemit të matjes së energjisë elektrike,verifikimin, kolaudimin, vulosjen, si dhe mirëmbajtjen e matësve të energjisë elektrike, kontrollin e saktësisë, kolaudimin e pajisjes me certifikatë. Kontrata që Enti Rregullator lidhi me Drejtorinë e Përgjithshme e Metrologjisë parashikon kontrollin e matësve të energjisë që vendosen për herë të parë në përdorim, të testojë, të rregullojë, të regjistrojë dhe pajisë me certifikatë të gjithë matësit e rinj përpara përdorimit (instalimit), bllokimin e matësve të energjisë që konstatohen të dëmtuar apo që janë jashtë performancës e nuk punojnë në përputhje me kërkesat teknike të përcaktuara në Kodin e Matjes dhe nga DPM, duke vendosur pullë bllokimi dhe njoftimin e shpërndarësit për ndërrimin e tyre etj. Gjatë zbatimit të kësaj kontrate Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ka vënë re abuzime të mëdha me cilësinë e matësve dhe mungesën e kontrollit të tyre para se ata të viheshin.
CEZ: Gjobat, nuk njohim kontratën, jemi në gjyq
Kompania CEZ Shpërndarje, duke reaguar për gjobën e vënë nga Ministria e Ekonomisë, thekson se kompania është në proces diskutimesh me Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë (DPM) dhe ERE-n në lidhje me disa çështje që lidhen me zbatueshmërinë praktike të amendamenteve të fundit të hyra në fuqi më 25 janar 2011 për kontrollin periodik të matësve. Këto amendamente e detyrojnë CEZ Shpërndarje-n të bëjë verifikimin e matëseve të saj përmes në pale të tretë të licencuar nga DPM. Këto amendamente, sqaron më tej CEZ, detyrojnë ERE-n të miratojë një kontratë tip, që duhet firmosur mes CEZ Shpërndarje dhe subjektit të licencuar. "Kjo kontratë e miratuar nga ERE më 22.07.2011 konsiderohet nga CEZ Shpërndarje si jo në përputhje me ligjin, si e njëanshme dhe në cenim të parimeve të konkurrencës dhe verifikimit të drejtë të matësve dhe se i sjell kosto kompanisë, të cilat nuk i janë njohur ende nga ERE. Bazuar mbi këtë arsyetim, CEZ Shpërndarje e ka çuar çështjen në gjykatë dhe është tashmë nën procedim gjyqësor", bën të ditur CEZ. CEZ Shpërndarje i ka kërkuar DPM-së që të nënshkruajë një marrëveshje të përkohshme deri në fund të vitit 2011 me qëllim që të fillojë puna e verifikimit të matësve derisa të zgjidhen çështjet e sipërpërmendura, por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga kjo e fundit. CEZ Shpërndarje është e përkushtuar në zbatimin e respektimin e ligjeve të shtetit shqiptar dhe u bën thirrje të gjitha palëve në proces të bëjnë të njëjtën gjë.
/mapo.al/
No comments:
Post a Comment