Ligji i pleherave: proteste para Kuvendit

Një grup të rinjsh pjesëtarë të organizatës “Kuvendi Civil” dhe veprimtarë të mjedisit të bashkuar në “Aleancën Kundër Plehrave” protestuan sot në rrugët e kryeqytetit kundër projekt-ligjit për përpunimit të mbetjeve, ndërkohë që ai po diskutohej në parlament. Ata e nisën protestën para ministrisë së mjedisit në rrugën e Durrësit dhe pastaj marshuan duke hedhur parrulla të ndryshme përgjatë rrugës nga Banka Qendrore te Gjykata e Lartë. Protesta e tyre vijoi në rrugën nga Parku Rinia tek selia e parlamentit, ku deputetët kishin në rendin e ditës projekt-ligjin e kundërshtuar prej tyre.
Lavdosh Ferunaj, ekspert i njohur dhe veprimtar i çështjeve mjedisore, thotë se “Aleanca kundër Plehrave” dhe “Kuvendi Civil” po i bëjnë presion parlamentit që të mos e miratojnë projekt-ligjin, që tashmë e ktheu prapa për rishqyrtim edhe presidenti Topi. Ai thotë se është i zhgënjyer nga fakti që maxhoranca nuk pranoi asnjë sugjerim për riparimin e disa neneve. “Ne jemi pro ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, por nga ky ligj duhen përjashtuar nenet që kanë të bëjnë me importin e mbetjeve. Ne kishim besim se kjo mund te rishikohej, por mesa duket funskionon nje skemë tjetër, ku maxhoranca shpreh një autoritet të pashpjegueshëm krejt jashtë çdo lidhje me komunitetin” - tha ai.

Veprimtarët deklarojnë se protestat do të vazhdojnë kundër një project-ligji që sipas tyre rrezikon natyrën dhe jetën e vendit. Drejtuesi i Kuvendit Civil, Dritan Broka, thotë se ata kanë dorëzuar dje në parlament një peticion me 3 mijë firma qytetarësh dhe personalitetesh publike, ku kërkohet ndryshimi i projekt-ligjit në nenet për importin. “Ne duam që ky ligj të mos miratohet. Së pari, duam që të shqyrtohet peticioni dhe të futet pika jonë e peticionit, e cila kërkon që minimalisht për 20 vitet e ardhshme të mos importohet asnjë lloj plehre në Republikën e Shqipërisë. Ne presim përgjigjen e parlamentit dhe do ta vazhdojmë luftën tonë deri në fund” - tha ai.

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se tani për tani ata po kërkojnë bashkëpunimin me ligjvënënësit për të hartuar nene të pranueshme me një gjuhë të përbashkët ndaj duan që të dëgjohen propozimet e tyre. “Nuk mendoj se ligji në fjalë është nisur me një mendim negativ dhe as korruptiv, përkundrazi. Mendoj që edhe ata që e kanë bërë, kanë dashur që të bëjnë një punë positive. Por nëse ka sugjerime të tjera, nëse ka pikëpyetje dhe paqartësi, këto të gjitha duhen hedhur në një tavolinë ku të diskutohet dhe të bëhet më e mira për të gjithë ne” - thotë Elsa Ballauri, drejtuese e Grupit për mbrojtjen e të drejtave njerëzore.

Veprimtarët e mjedisit dhe të shoqërisë civile pohojnë që nëse projekt-ligji miratohet sot, ata do ta paditin këtë ligj në Gjykatën kushtetuese dhe do të mbledhin 50 mijë firma qytetarësh për të thirrur një referendum kombëtar mbi këtë çështje.
/24-ore.com

No comments:

Post a Comment