Vizat, Nishani: Fushata e ndërgjegjësimit do të vazhdojë

Ecuria e deritanishme të lëvizjes së lirë në zonën Shengen të qytetarëve shqiptarë ka qenë tema kryesore e takimit të ministrit të brendshëm, Bujar Nishani me shefen e emigracionit në ministrinë e Brendshme të Mbretërisë së Belgjikës Znj. Katy Verzelen.

Ministri Nishani i cilësoi mjaft inkurajuese për punën e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit vlerësimet pozitive të Komisionit Europian për Shqipërinë në raportin mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në zonën Shengen.

Ai nënvizoi konkluzionet e këtij raporti mbi përdorimin me efiçencë dhe efektivitet të kapaciteteve njerërore e teknike për kontrollin e kufirit, për imlementimin me sukses të legjislacionit për azilin dhe për faktin se nuk ka patur kërkesa për azil nga qytetarët shqiptarë në vendet e BE.

Përfaqësuesja për Emigracionin e Ministrisë së Brendshme të Belgjikës Znj. Katy Verzelen përcolli në takim konstatimet pozitive lidhur me respektimin e rregullave të lëvizjes së lirë nga qytetarët shqiptarë dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes strukturave homologe për çështje të migrimit dhe azilit të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës.

Në takimin me funksionaren e lartë belge për emigracionin Znj. Verzelen, Ministri Nishani bëri të ditur se fushata për informimin e qytetarëve mbi rregullat e lëvizjes së lirë në zonën Shengen do të vijojë edhe më tej në përgjigje të rekomandimeve të Komisionit Europian.




(www.noa.al)

No comments:

Post a Comment