Topi-Topalli, replika për dekorimet e ish-të përndjekurve politikë

Presidenti Topi dhe kryetarja e Parlamentit shkëmbyen replika në distancë sot gjatë homazheve për nder të dy viktimave të diktaturës komuniste, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja.

Në një prononcim për gazetarët pas daljes nga Instituti i të Përndjekurve Politikë, Topalli i cilësoi hipokrizi dekorimet e personave që janë njohur si ekzekutues të kundërshtarëve të regjimit. "Ftojmë këdo që ka një pozicion të caktuar dhe për t`i thënë që të mos guxoni të dekoroni ata që kanë pushkatuar. Ata që dekorojnë vrasësit e këtyre djemve të rinj janë më shumë se hipokritë", tha Topalli.


Ndaj kësaj deklarate ka reaguar më pas presidenti Topi, i cili theksoi se dekorimet bëhen me propozim të institucioneve të tjera dhe nuk janë iniciativa personale të tij.
"Asnjeherë institucioni i presidentit nuk bën dekorime me iniciativa personale. Propozimet vijnë në rrugë zyrtare përmes institucioneve të tjera", tha Topi, duke theksuar faktin se ai i përket vetë një familjeje të përndjekur.


Topi nderon kujtimin e dy martirëve të pushkatuar


Presidenti Topi mori pjesë në homazhet që po zhvillohen në nderim të Tom Ndojës dhe Sokoli Sokolit, të pushkatuar nga sistemi komunist 27 vjet më parë, eshtrat e të cilëve u gjetën para disa ditësh. Ndoja dhe Sokoli ishin dy organizatorët e protestës së burgut të Qafë-Barit dhe u dënuan me pushkatim për tradhti ndaj atdheut dhe krim ekonomik 27 vjet më parë nga sistemi i atëhershëm.


Gjatë fjalës së tij, Topi vlerësoi figurën e dy martirëve, duke theksuar se ata janë vendosur në altarin e kombit. "Janë dy nga martirët e demokracisë që janë vendosur në altarin e kombit. Sot ata nderohen me shumë përulje nga shoqëria dhe institucionet. Kjo na bën të reflektojmë që nuk duhet të heqim nga kujtesa vitet e diktaturës, për të vlerësuar më shumë atë pikë referimi që ne kemi të gjithë: Europën", tha presidenti për mediat.
(shekulli.com.al)

No comments:

Post a Comment