Lordi është nisur nga Olimpi i lashtë e Greqisë, nga ku kanë nisur lojërat e para olimpike dhe po përshkon në këmbë të gjithë rrugën deri në Londër.
Kjo është një iniciativë e lordit Bates për të promovuar lojërat e lashta olimpike, të cilat gjatë zhvillimit të tyre shënonin dhe kohën e paqes botërore, pasi ndërpriteshin të gjitha luftërat dhe konfliktet e armatosura.
Në tetor 2011, të 193 shtetet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të mblidhen në Nju Jork për të nënshkruar një rezolutë duke deklaruar angazhimin e tyre për të vëzhguar të “ndjekin iniciativat për paqe dhe pajtim në frymën e lojërave të lashta olimpike”.
Lordi Michael Bates mbërriti dje në këmbë në Fier, pasi ka ecur mbi 60 ditë në këmbë dhe pritet të mbërrijë në Tiranë ditën e diel.
Ai do të ketë takime me krerët politikë të Tiranës, por në zbatim të iniciativës së tij të pajtimit dhe të paqes, do të kërkojë prej tyre një ecje simbolike në rrugët e Tiranës në shenjë mirëkuptimi dhe pajtimi. Mësohet se stafi i Lordit Bates ka njohur krerët e të gjithë krahëve politikë për këtë iniciativë të tij.
Iniciativa e Lordit për të përshkuar një distancë në këmbë me krerët e politikës shqiptare është pritur me interes nga shumica e drejtuesve të forcave politike.
Ende nuk ka një konfirmim sipas burimeve të Lordit Michael Bates nga kreu i opozitës Rama për këtë veprim.
“Përveç promovimit të të gjithë idesë së Armëpushimit të Shenjtë, që Lordi Michael Bates po promovon me ecjen e tij prej 3000 miljesh nga Olimpi deri në Londër, ne po pyesim nëse prania e Lordit Michael Bates në Shqipëri mund të përdoret për të sjellë paqe mes z. Rama dhe palëve të tjera në politikën shqiptare?”, thuhet në njoftimin që stafi i Lordit Michael Bates u ka shpërndarë partive politike shqiptare.
Sipas tyre, ky veprim do të ndihmonte në riparimin e shumë çarjeve që ekzistojnë në politikën shqiptare. Disa nga krerët e partive politike të maxhorancës kanë marrë njoftimin dhe kanë përkrahur idenë e Lordit anglez. Pritet vetëm konfirmimi i kreut opozitar, Edi Rama.
“Në tetor 2011, të 193 shtetet anëtare të Asamblesë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të mblidhen në Nju Jork, për të nënshkruar një rezolutë duke deklaruar angazhimin e tyre për të vëzhguar ‘ndjekjen e iniciativave për paqe dhe pajtim në frymën e Lojërave të Lashta’, të cilat në të kaluarën janë nënshkruar, por askush nuk i ka zbatuar ndonjëherë. Unë kam vendosur për të ecur mbi 3000 kilometra dhe shpresoj se do të mund t’i bind të gjithë nënshkruesit e armëpushimit për të bërë vetëm një gjë për ta zbatuar atë”, thuhet në dedikimin e Lordit për këtë iniciativë.
Kreu i maxhorancës, kryeministri Berisha, mësohet se e ka mirëpritur idenë e Lordit Michael Bates për t’u takuar dhe për të përshkuar simbolikisht një rrugë në Tiranë nën shoqërinë e krerëve të tjerë politikë të partive kryesore në vend. Kreu socialist, Edi Rama, i cili mësohet se ka marrë ftesën e Lordit britanik, ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në një rrugëtim në qendër të Tiranës, raportoi Panorama.
(albeu.com)
No comments:
Post a Comment