La Liga rrezikon falimentimin, 4 miliardë borxhe

La Liga spanjolle, është në telashe financiare serioze, me një borxh që arrin në 4 miliardë euro. Kaq e rëndë është situata, raporton “Marca”, sa La Liga është në prag falimentimi.

“Do jetë e nxehtë vera”, shkruan e përditshmja sportive më e madhe në Spanjë. Realiteti - pas transferimeve astronomike dhe rrogave stratosferike - në fakt është shqetësues. Të paktën 21 klube nga Primera dhe Segunda Divizion i janë drejtuar tashmë të ashtuquajturit “Ley Concursal”, ligjit që i lejon shoqëritë të pezullojnë apo të shtyjnë pagesat e borxheve pa deklaruar falimentin formal. Në këtë mënyrë, klubet vazhdojnë përpara pa u ndëshkuar nga federata me rrëzim në një kategori më poshtë apo me heqje pikësh në renditje. Ndërkaq, më tepër se 300 futbollistë nga kampionati elitar apo nga kategoria e dytë kanë denoncuar pamundësinë e klubeve të tyre për t’ua paguar rrogat. Sindikata e futbollistëve ka kërcënuar me grevë të përgjithshme dhe bllokim të kampionatit të ardhshëm, nëse deri atëherë nuk shlyhen të gjitha detyrimet financiare ndaj tyre.

Sipas “Marca”-s, kjo kërkesë e lojtarëve nuk mund të plotësohet nga Liga Spanjolle (LFP). Gazeta shkruan se “greva është një mundësi reale dhe klubet e dinë këtë”. Praktikisht, vetëm dy të mëdhenjtë, Barcelona dhe Reali i Madridit, ia dalin të menaxhojnë borxhin e madh - pak më tepër se një miliard - me anë të të ardhurave vjetore më të mëdha.
(lajmpress.com)

No comments:

Post a Comment