Interneti u shërben atyre që frikësohen

Në ambientet e ndryshme mjekësore tashmë është vendosur termi ‘cyberhondria’ që nënkupton obsesionin e njerëzve për të vërtetuar simptomat e tyre në internet nga frika për ndonjë sëmundje apo nga vdekja. Interneti është i përsosur për hipokondrët (personat që mendojnë se vuajnë nga ndonjë sëmundje), sepse është i pasur me informata.

Llogaritet se gjysma e banorëve të Bashkimit Evropian informohet për shëndetin e vet dhe kërkojnë informata mjekësore përmes internetit.

Mjekët gjermanë vlerësojnë se ekzistojnë rreth shtatë për qind e njerëzve të cilët ankohen për sëmundje që në fakt nuk i kanë dhe të cilët janë të ngarkuar nga frika e vazhdueshme nga simptomat e ndryshme. Këtyre njerëzve u shërbejnë portalet e ndryshme në internet për të marrë sa më shumë informata për simptomat dhe sëmundjet.

Instituti gjerman për mjekësi sociale njofton se rreth 70 për qind e gjermanëve kanë kërkuar ndihmën e mjekut vetëm në gjendje “absolutisht të domosdoshme”, përndryshe ata dinë vetë për gjendjen e tyre, falë internetit.

Hipokondria është gjendje në të cilën personat janë të bindur ose shumë të frikësuar se vuajnë nga ndonjë sëmundje. Te këta njerëz sëmundja nuk është e pranishme, porse ata gjithmonë i shmangen diagnozave mjekësore dhe mundohen që vetë të gjejnë shkaktarët e “sëmundjes” së tyre

Frika nga sëmundjet shfaqet edhe te meshkujt edhe te femrat në të gjitha moshat, madje edhe te fëmijët. Hipokondria ka shkaktarë të shumtë, ndërsa në kohën moderne, kur njerëzit janë bërë thuajse të varur nga interneti, duke marrë informacione të pafiltruara, ata bëhen gjithnjë e më të pasigurt dhe shqetësohen gjithnjë e më shumë për shëndetin e tyre.
(telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment