Tronditet Lezha, vritet me armë zjarri në mes të qytetit një 26-vjeçar

Një vrasje me armë zjarri ndodhi mbrëmë në Lezhë, duke tronditur banorët e këtij qyteti. Ngjarja ndodhi në bulevardin kryesor të qytetit rreth orës 22:30. Erjon Pleti, 26 vjeç nga Lezha, ekzekutoi bashkëmoshatarin e tij, Dorian Hila. Burime në vendin e ngjarjes bënë të ditur se mes të rinjve ka pasur një debat momenti, i cili më pas precipitoi me të shtëna arme. Për pasojë, 26-vjeçari Hila ka mbetur i plagosur rëndë. Kalimtarë të shumtë që janë ndodhur në vendin e ngjarjes kanë nxituar ta çojnë viktimën në spitalin e qytetit, por ai nuk mundi t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës. Policia e Lezhës është alarmuar nga të shtënat dhe mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes nga ku nisi hetimet. Në sajë edhe të deponimeve të dëshmitarëve, ata arritën të identifikonin autorin dhe në kohë rekord bënë edhe arrestimin e tij, si dhe sekuestruan armën e krimit. Burime të Policisë bënë të ditur se janë duke hetuar motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, por ende nuk ka një pistë konkrete. Dëshmia e të arrestuarit pritet të zbardhë ngjarjen, por mbrëmë ai ende nuk ishte marrë në pyetje, për shkak edhe të gjendjes së rëndë psikologjike në të cilën ndodhej. Paraprakisht, dyshohet se ndonjë sherr i momentit të ketë qenë shkaku i vrasjes, por burime nga Policia thanë se nuk përjashtojnë as pista të tjera hetimi.
(panorama.com.al)


No comments:

Post a Comment