Gjuetia e peshkatarëve të “Arkidës” ka vazhduar 30 orë dhe në kohën që kanë nisur të mbledhin rrjetat, kanë konstatuar se çfarë kishte brenda tyre. Një prej peshkatarëve, Fatmir Elezi, tregon për gazetën momentet kur peshkaqeni ra në rrjetat e tij dhe dy kolegëve të tjerë.
Sa milje larg bregut e kapët peshkaqenin dhe në ç’thellësi?
Pasditen e së shtunës dolëm me peshkarexhë për gjueti dhe qëndruam në një distancë rreth 10 milje larg bregut të Rodonit. Në atë vend mendoj se kemi qenë në një thellësi prej rreth 70 metrash. Mëngjesin e së dielës, nga ora 6, ndjemë që rrjeta po lëvizte dhe lëkundjet e anijes ishin të forta. Kishim kaluar një ditë e një natë dhe domosdo vigjilenca kishte rënë disi, por, falë intuitës dhe reflekseve, e zotëruam sa hap e mbyll sytë këtë situatë. E kuptova menjëherë se bëhej fjalë për rënien në rrjeta të një peshku të rrallë. Më pas vendosëm të tërhiqnim rrjetat, ku pas 20 minutash punë pamë që në grackë kishte rënë një specie e rrallë për gjuetinë tonë të zakonshme. Për ta ngjitur në bordin e peshkarexhës u desh të mobilizoheshim që të tre peshkatarët dhe pas shumë përpjekjesh e ngjitëm. Peshkaqeni ishte femër dhe, me sa duket, është shkëputur nga tufa për të gjetur një vend për të lindur të vegjlit. Kjo që bëmë ne është lojë me rrezik, por duhet të pranojmë se, si në çdo punë tjetër, edhe këtu riskohemi për të bërë diçka të veçantë. Nuk kishim pse ta linim të lirë gjahun.
A ju ka qëlluar që gjatë punës suaj shumëvjeçare në gjueti të kapni peshkaqen?
Punën time si peshkatar e kam nisur që kur kam qenë fëmijë, plot 27 vite më parë. Nuk është hera e parë që kemi kapur një peshkaqen gjatë gjuetisë tonë, por jo në përmasa të tilla. Peshkaqenët që kanë përfunduar në rrjetat tona kanë qenë të shumtë, por të vegjël, të cilët nuk e kalonin gjatësinë prej 70 centimetrash. Kepi i Rodonit dhe Shën Pjetri ruajnë në vetvete mistere të tilla ngaqë rryma ndikon në futen në këtë gji edhe peshkaqenë, të cilët duket se janë ndarë nga tufa e tyre.
Çfarë bëtë me peshkaqenin?
Sigurisht që e shitëm! Mishi i peshkaqenit mbetet ndër më të preferuarit për restorantet jashtë qytetit të Durrësit, kryesisht të kryeqytetit. Sapo e kemi pastruar dhe bërë gati, e kemi dërguar në një restorant në Tiranë, ku e blenë të gjithin. Për nga ana ekonomike peshkaqeni mbetet mjaft fitimprurës, kilja e të cilit shitet 500 lekë.
Sa kilogramë ishte peshkaqeni dhe sa ishte fitimi nga shitja e tij?
Duke qenë se peshkaqeni është kapur vetëm 10 milje larg bregut, çfarë rrezikshmërie paraqet kjo specie për pushuesit dhe a mund të vijë më afër bregut?
Duke u nisur nga njohuria që kam për peshkaqenët dhe eksperienca ndër vite, them se ky lloj peshkaqeni është shumë i rrezikshëm. Thuhet që është një peshkaqen agresiv, çka mund ta dallosh mjaft mirë edhe nga dhëmbët e gjatë e të mprehtë që ka. Përsa i përket pyetjes suaj nëse kjo specie është e rrezikshme për pushuesit, ajo nuk paraqet rrezik nëse turistët do të respektojnë distancat. Në rast të kundërt, pra nëse turistët lëvizin me varka në një thellësi të largët nga ku mund edhe të lahen, kjo specie përbën rrezik për ta. Nuk dua të them se ujërat janë të rrezikuar prej peshkaqenit, por duhet pranuar se rrëmbimi i ndonjë turisti apo peshkatari për t’u larë në mes të detit pranë peshkatores apo jahtit të vet mund ta përballë me të papriturën e rrezikshme.(panorama.com.al)
No comments:
Post a Comment