Guardiola, idhulli i Fabregasit

Mesfushori i Arsenalit, Cesc Fabregas ka refuzuar të komentojë të ardhmen e tij në klub, por shprehu admirimin e tij për trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola.

Çifti ka një histori mes vete. Fabregas depërtoi nga akademia e gjigantit katalan para transferimit në Arsenal më 2003, ndërsa Guardiola zhvilloi mbi 300 ndeshje për Barcelonën para fillimit të karrierës së suksesshme si trajner, fillimisht me ekipin e të rinjve e pastaj me skuadrën e parë.

“Pep Guardiola gjithmonë ka qenë idhulli im më i madh në fushë”, tha Fabregas për të përditshmen sportive katalane Sport, gjatë një ngjarjeje promocioni në Jakarta.

Mesfushori 24 vjeç nuk konfirmoi nëse planifikon të largohet nga Arsenali dhe ti bashkohet Guardiolës në Barcelonë sezonin e ardhshëm, por shprehu krenarinë e tij që përfaqësoi Spanjën në Euro 2008 dhe Kampionatin botëror 2010.

“Ndihem i privilegjuar që kam pasur rastin të luaj me disa nga futbollistët më të mirë në botë. Motivimi vjen nga brendia ime. Thjesht e dua topin”, deklaroi ai.

Më herët, gjatë javës, presidenti i Barcelonës, Sandro Rossel, pranoi se klubi nuk do të përmbushë vlerësimin e Arsenalit, që kërkon 35 milionë funte për kapitenin e tij Fabregas.

(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment