Rikthehet kinemaja e harruar verore

I kishim harruar netët e gjata dhe të nxehta të verës në qytete tona, ku njerëzit argëtoheshin me të vetmen mundësi që u jepej, para viteve ’90, të shihnin një film në muret e pallateve në qiell të hapur. Asokohe e quanim kinema verore, por as sot emërtimi nuk ka ndryshuar përveç teknikave që nuk janë më aq primitive sa atëherë. Arkivi Shtetëror i Filmit me një projekt të tij do të risjellë këtë verë nostalgjinë e kinemasë verore në tërësinë e saj. Është hartuar tashmë programi i filmave që kanë nisur në fakt të shfaqen që në mesin e qershorit, për të vazhduar nga korriku deri në gusht me filma dokumentarë dhe artistikë që janë pjesë e arkivit të filmit. Kësisoj AQSHF i zhvendos filmat nga salla e vogël e kinemasë në mjedise të hapura për pushuesit dhe turistët, çdo të shtunë dhe të diel të gushtit dhe korrikut. Kalendari veror ka filluar që në datën 18 qershor, ku në Lukovë të Sarandës është shfaqur dokumentari i Ibrahim Muçajt “Iso Polifonia”, mbi kryeveprën e trashëgimisë kulturore shqiptare. 

Qëllimi i këtij projekti është jo vetëm një mundësi më shumë argëtimi për pushuesit, por dhe një mundësi për t’iu ofruar atyre një informacion më shumë mbi historikun e qyteteve turistike, si Berati dhe Gjirokastra, por dhe për qytetet bregdetare, që nga Shëngjini në Durrës e deri në Sarandë. Në kalendarin veror Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka parashikuar jo vetëm filma artistikë me metrazh të gjatë për publikun, por edhe prodhime kinematografike me metrazh të shkurtër, që nga dokumentari e deri te kronikat e kohës. Programi përmban 22 fundjava shfaqje, nga 18 qershori deri më 28 gusht. 

Shfaqja e filmave në varësi dhe të interesit mund të përsëritet disa herë. Në këtë tur veror arkivi do të promovojë në një farë mënyre edhe projeksionet e filmave të dixhitalizuar, pasi prej kohësh ky arkiv po realizon një nga projektet më ambicioze: dixhitalizimin e arkivave. Ndër projeksionet e filmave me metrazh të gjatë që do të shfaqen janë: “Busulla” i Bujar Alimanit, “Shkallët” nga Ilir Harxhi, “Ne dhe Lenini” nga Saimir Kumbaro etj. “Ne dhe Lenini”, i regjisorit Saimir Kumbaro, rrëfen historitë e disa të moshuarve në azilin që mban emërtimin “Lulet e vjeshtës”, që ata e kanë si shtëpinë e tyre. Shtëpisë i del pronari dhe pleqtë rrezikojnë të dalin në mes të katër rrugëve. 

Filmi përmes humorit rrëfen aventurën e tyre për të mbajtur shtëpinë. Në ndihmë u vjen aktori Llazar Korita (që luan vetveten), i cili dikur ka interpretuar Leninin në një dramë të njohur para shumë vitesh, por që ka mbetur në kujtesën e publikut. “Lenini” hidhet në mbrojtje të së drejtës, por përpjekjet e tij bien në vesh të shurdhër. Ndërkohë filmi “Busulla” i Bujar Alimanit sjell fenomenin e gjakmarrjes përmes historisë së Mirës, vajzës nga Veriu, që për të mbajtur burrat e familjes që janë ngujuar për gjak shet çdo mëngjes qumësht. Por nuk do të mungojnë në kinemave verore edhe projeksione të ndryshme, që nga baleti e deri te dokumentarët historikë.






(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment