Rikthim në traditë, prirje kontraverse, ide me motive sensibilizuese dhe përqafimi i modës së fundit ishin vetëm disa nga tendencat që përcollën në pasarelë studentet e Universitetit Politeknik të Tiranës. E kthyer tashmë në një traditë për të shtatin vit radhazi organizimi i sfilatës “Dita e Modës 2011″ është një event që synon të promovojë punimet individuale të studentëve, motivimin e tyre për një të ardhme në fushën e modelingut e stilimit dhe prezantimi i punëve të diplomantëve që do të dalin nga dyert e këtij universiteti. Të pranishëm në këtë aktivitet, i cili u zhvillua ditën e premte në ambientet e hotel “Sheraton”, ishin studentë, pedagogë të këtij Fakulteti, mes tyre spikasnin ata të departamentit të Tekstilit. Vojsava Karagjozi, pedagogia e departamentit të Tekstilit, nuk e fshehu kënaqësinë dhe përkrahjen e këtyre studentëve të talentuar e të devotshëm, të cilëve nuk u mungojë idetë, realizimet e spikatura dhe gjetjet interesante në krijimet e veshjeve të tyre. Ky aktivitet përkon edhe me 60-vjetorin e Universitetit Politeknik të Tiranës, por për herë të parë ky aktivitet vjen edhe në bashkëpunim me projektin e USAID-it, “Rritje Albania”. “Dita e Modës 2011″ është vetëm projeksion i studentëve të viteve të fundit, të cilët në kuadër të punimeve vetjake dhe projekteve të kursit që ata zhvillojnë në një prej lëndëve të formimit profesional “Modelim Veshjesh”, vijnë dhe e materializojnë në një pasarelë të mirëfilltë, nën dritat e projektorëve, fotografëve, prezantuesve dhe modeleve. Në këtë sfilatë nuk munguan veshjet me element të traditës, fustane të punuara me grep, stilime veshjesh nën moton “Shkëlqim në errësirë”, fustane me motive të forta sensibilizuese në kuadër të luftës kundër duhanit dhe drogës. Nuk mungonin ngjyrat e ndezura, tonalitetet e ftohta të tokës dhe “zhveshja” deri në tejdukshmëri të disa copave të përzgjedhura në veshjet e caktuara të studentëve. Prezantimi i veshjeve të ideuara, stiluara, dizenjuara, të prera dhe qepura nga vetë studentët, të cilët ndërthurin tendencat e modës me shijet personale. Mes studentëve të pranishëm në këtë event spikati edhe Katerina Zoto. Punimet e studentes së vitit të dytë të këtij Universiteti u dalluan për elementin e veçantë: Rikthimin në traditën shqiptare! E gjitha kjo gjetje jo vetëm emetoi detajet e origjinës së vajzës simpatike korçare, por veshjet e saj dëshmuan për kulturën e traditën e vyer të këtij qytetit. 20-vjeçarja shprehet për eksperiencën e saj:
Katerina, si ndihesh tani që sfilata përfundoi?
Ndihem më shumë se e emocinuar! Gjithçka shkoi shumë mirë. Përgëzimet dhe vlerësimet për punën time nuk munguan nga të gjithë pedagogët, kolegët dhe të pranishmit në sfilatë. Them se e kreva me sukses misionin tim.
Krijimet e tua të përcillnin butësisht në bulevardin e qytetit të Korçës, stili i spikatur, maskat veneciane… Pse kjo gjetje?
Dëshira për të përcjellë kulturën e qytetit tim të lindjes ishte vërtet e madhe. Duke dalluar paksa nga bashkëmoshataret e mia apo koleget që kapen fort pas modës dhe tendencave të kohës, unë e kam më të theksuar lidhjen me traditën, të kaluarën.. Mua më ka pëlqyer gjithnjë ky fakt, ndaj edhe tentova ta përfshij në krijimet e mia.
Fustanet me ngjyrën e kuqe të theksuar ishin të bashkëshoqëruara edhe me maska veneciane… Dëshirë për të përcjellë frymën e Karnavaleve të Korçës kjo? Sërish mbeteni në kuadër të traditës…
E kam thuajse të pashmangshme ta përqafoj këtë fakt. Korça është qyteti im i lindjes, origjina ime dhe ideja që përmes punimeve dhe krijimeve të mia mund të përcjell copëza nga ky vend, më mbush dhe më bën të ndihem e plotësuar. Fustanet klasike, maskat e rënda veneciane ishin absolutisht zgjedhja ime dhe dëshira për të përcjellë një pjesë nga Karnavalet e Korçës. Karnavalet janë një pjesë identifikuese dhe e rrallë e kulturës sonë
Sa kohë t’u nevojit për të realizuar veshjet?
Vetëm dy javë. Përfshirja në këtë aktivitet ishte dëshirë imja, nuk ishte në kuadër të diplomimit. Unë jam në vit të dytë të Universitetit dhe kam ende rrugë të gjatë përpara.
E sheh veten tënde si stiliste të ardhshme?
Sigurisht që po! Studimi në këtë Universitet, përfshirja në fushën e stilimit dhe të modës ka qenë zgjedhje e hershme e imja. Asnjëherë nuk më ka munguar dëshira për të krijuar, për të realizuar veshje të bukura dhe një e ardhme në botën e stilimit është absolutisht sfida ime profesionale.
(www.panorama.com.al)
No comments:
Post a Comment