Bazat e mbrojtjes nga dielli

Dielli është shkaktari kryesor mjedisor i plakjes dhe i kancerit të lëkurës. Për këtë arsye, rekomandohet që gjithkush të marrë informacion sa më të hollësishëm rreth dëmtimit të lëkurës nga dielli dhe metodave të mbrojtjes. Gjithsesi, në vijim paraqitet një përmbledhje e masave bazë për mbrojtjen nga dielli – një informacion i mirë si fillim, por që ka nevojë të pasurohet me informacione më të detajuara.
 Rekomandimet bazë

Akademia Amerikane e Dermatologjisë rekomandon këto masa bazë për mbrojtjen nga dielli:

1) Planifikoni gjithmonë kohën kur do të qëndroni jashtë shtëpisë apo zyrës. Shmangni ekspozimin ndaj diellit gjatë orëve pik – 10:00 deri 16:00.

2) Shmangni solaret.

3) Përdorni një kapele me brima të gjera dhe syze dielli.

4) Qëndroni në hije sa më shumë që të keni mundësi.

5) Përdorni tesha mbrojtëse me thurrje të dendur.

6) Përdorni një produkt mbrojtës kundër diellit me SPF të paktën 15 në gjithë pjesët e ekspozuara të lëkurës (përfshi buzën) edhe gjatë ditëve të vrenjtura.

7) Në se parashikoni të notoni ose të djersini, përdorni një produkt mbrojtës kundër diellit i cili të jetë rezistent ndaj ujit.

8) Koha e përshtatshme për të aplikuar produktin mbrojtës kundër diellit është 20 deri 30 minuta para ekspozimit; riaplikoni produktin mbrojtës me shpeshtësi të mjaftueshme.

9) Fëmijët tentojnë të qëndrojnë më gjatë nën diell dhe, për këtë arsye, kanë nevojë për mbrojtje shtesë.



Rekomandime shtesë

Përveç rekomandimeve bazë të akademisë, shumë ekspertë mendojnë se ka edhe disa masa shtesë të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për personat që dëshirojnë të shmangin efektet e diellit në plakjen e lëkurës.

1) Zgjidhni një produkt mbrojtës ndaj diellit me mbrojtje kundër UVA dhe UVB. Në se keni lëkurë të ndjeshme ndaj diellit, përdorni produkte me SPF 30 ose më të lartë kundër UVB dhe mbrojtje të përshtatshme edhe kundër UVA.

2) Përdorni masa mbrojtëse shtesë pranë ujit, borës dhe rërës, pasi këto sipërfaqe i pësqyrojnë rrezet e dëmshme të diellit dhe rritin mundësinë për dëmtim të lëkurës.

3) Mos neglizhoni mbrojtjen kundër dritës së diellit kur qëndroni në mjedise të mbyllura ose gjatë ngarjes së makinës.

4) Sigurohuni të merrni sasinë e duhur të vitaminës D nëpërmjet dietës ose suplementëve ushqimore.

5) Garantohuni që syzet tuaja të diellit ju mbrojnë ndaj UVA dhe UVB dhe që, mundësisht, të mbulojnë një sipërfaqe sa më të madhe të fytyrës.

6) Konsumoni ushqime dhe, mundësisht, suplemente ushqimore të pasur me përbërës që pakësojnë dëmin e rrezeve UV. Të tillë janë anti-oksidantët, likopeni, çaji i gjelbër, etj.
(femina.al)

No comments:

Post a Comment