Vatikani zbulon sekretet që frymëzuan Dan Brown-in

Selia e Shenjtë ka vendosur të zbulojë “sekretin” duke hapur arkivin e saj aq të diskutuar e aq të keqkuptuar ndër shekuj. Janë rreth 1000 dosje që Vatikani ka vendosur t’i shpluhurosë e t’i bëjë publike
Selia e Shenjtë ka vendosur të zbulojë “sekretin” duke hapur arkivin e saj aq të diskutuar e aq të keqkuptuar ndër shekuj. Janë rreth 1000 dosje që Vatikani ka vendosur t’i shpluhurosë e t’i bëjë publike, duke filluar që nga procesi ndaj Galileo Galileit dhe kodeve të nënshkruar, autografet e Mikelanxhelos, deri tek aktet e perandorit Federiku II. Të gjitha këto “sekrete të shenjta” pritet të zbulohen në shtator, në një ekspozitë të parë të këtij lloji, që Vatikani vendos të hapë pas 400 vjetësh. Sipas Vatikanit, kjo ekspozitë ka si qëllim që të shuajë një herë e mirë zërat konspirativë rreth asaj që fshihen në “tunelet” e fshehta të Selisë së Shenjtë. Por veç dokumenteve kishtare, bien në sy disa materiale për të cilat nuk është folur kurrë më parë, si ato të Luftës së Dytë Botërore dhe të Pio XII. Në fakt, duket se Vatikani ka bërë paraprakisht zgjedhjen e tij, ku mes shumë e shumë dokumenteve që flitej se mbahen në arkivat e tij, ka seleksionuar vetëm 1000 prej “thesareve”. Por, sipas Vatikanit, e rëndësishme është që pas 400 vjetësh për herë të parë u vendos që “thesaret” e tij të publikohen në formën e tyre origjinale pikërisht në Muzeun “Capitolini”, nënë titullin “Luks i mrekullueshëm. Vatikani zbulon sekretet”. Ekspozita synon të japë një sinjal të qartë dhe të “pastrojë” Vatikanin nga dyshimet, mitet dhe legjendat e krijuara rreth arkivave sekrete të tij.

Dokumentet “sekrete”

Sigurisht që në pak metra katrorë ekspozitë është e pamundur të publikohen materiale që janë vendosur në 85 kilometra me rafte. Por për këtë ekspozitë janë përzgjedhur mostra nga periudha të ndryshme, duke përfshirë atë të Papa Gregori Dictatus VII (1073-1085), aktet e nënshkruara nga Perandori Frederik II (1245), disa dokumente të martesës së Henri VIII (1530), AUTOGRAFET e Mikelanxhelos, Rafaelit dhe artistëve të tjerë që kanë qenë të lidhur ngushtë me Kishën, të gjitha dokumentet dhe materialet që kanë të bëjnë me gjykimin e Galileo Galileit (1616-1633), si dhe dëshminë e shkruar me dorë dhe letrën origjinale të kardinalit Bellarminë, një letër kortezie e indianëve të Amerikës drejtuar Leonë XIII etj. Tekste antike që do të ekspozohen në vitrina qelqi me ajër të kondicionuar dhe ndriçim të lehtë.

Përtej Dan Brown

Ekspozita do të jetë e hapur për 7 muaj me radhë dhe titulli i saj “Lux Arcana” do të thotë që hedh dritë mbi “sekretet” apo “misteret” që kanë ndezur imagjinatën e shkrimtarëve si Dan Brown dhe imituesve të tij. Por këtu nuk bëhet fjalë për misteret romantike të “Engjëj dhe djaj”, por për misteret e arkivit (që ka madje dhe një faqe interneti) në 85 kilometra me rafte, me më shumë se 1000 vjet histori dhe të mbajtura të fshehura në “bunkerët” e “Cortile Pigna”. Janë një oqean dokumentesh të historisë së njerëzimit.

Pio XII dhe Holokausti

Mes shumë dokumenteve, do të bëhen publike edhe disa që deri tani janë konsideruar sekrete, që kanë të bëjnë me Luftën e Dytë Botërore, në të cilën Pio XII duket se ka pasur ndikimin e tij. Megjithatë, nuk do të zbulohen materialet që kanë të bëjnë me atë që është komentuar si veprimet e Pio XII rreth çështjes së shfarosjes së hebrejve. Në ekspozitë do të publikohen vetëm disa prej dokumenteve të cilat tregojnë një qëndrim korrekt të Papës rreth kësaj çështjeje. Arkivat rreth kësaj periudhë u mbyllën në vitin 1939 dhe nuk janë hapur më deri më sot. Por edhe ato pak dokumente që do të publikohen nuk do të jenë mjaftueshëm për të krijuar një gjykim të shëndoshë rreth qëndrimit të Vatikanit dhe konkretisht të Pio XII ose Papa Pacelli-t rreth Holokaustit. Në fakt, Selia e Shenjtë ka zgjedhur të publikojë mes “thesareve” të asaj periudhe vetëm ato dokumente që kanë qenë të hapura për studiuesit (brenda Vatikanit) dhe jo për publikun e gjerë. Por pavarësisht kësaj, Vatikani e konsideron si risi faktin që për herë të parë këto dokumnete dalin jashtë qytetit të Papës. Dokumentet e publikuara i përkasin vitit 1940-1945 dhe përmbajtja e tyre “zbulohet” për herë të parë që pas mbylljes së këtij arkivi në vitin 1939 nga Papa Piu XII. Ky arkiv, në fakt, ka qenë i hapur deri në vitin 1939, vit kur vdiq Piu XI.








(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment