Vitamina E

Vitamina E nuk është një përbërës i vetëm. Ky term përfshin tetë produkte të klasifikuar në grupin e tokoferoleve dhe tokotrienoleve. Vitaminat E janë të tretshme në yndyrë dhe kanë një efekt të fuqishëm anti-oksidant. Roli i tyre shprehet në mbrojtjen e membranës qelizore nga dëmtimi i radikaleve të lira si dhe në parandalimin e oksidimit të kolesterolit në gjak.

Roli në organizëm
Vitamina E ka rol kyç në ndërtimin dhe funksionin e muskujve të skeletit dhe të zemrës. Ajo ndihmon në procesin e prodhimit të ruazave të kuqe të gjakut, si dhe në ruajtjen e depove të vitaminave A, K, hekurit dhe seleniumit në organizëm. Efektet pozitive të vitaminës A shtrihen në përmirësimin e sistemit imunitar, mbrojtjen nga radikalet e lira, mbrojtjen nga sëmundjet e zemrës dhe kanceri, lehtësimin e simptomave të sëmundjes së Alzheimer dhe lehtësimin e disa dëmtimeve të diabetit (sidomos në sy).

Pamjaftueshmëria
Pamjaftueshmëria e vitaminës E është e rrallë. Vetëm personat me disa çrregullime të rralla gjenetike preken prej saj, sikundër preken edhe fëmijët e lindur nën peshë. Shenjat përfshijnë diarre kronike dhe feçe të yndyrshme.

Burimet ushqimore
Ushqime të pasura me vitaminë E përfshijnë vajrat bimorë, avokadon, spinaqin, farat e lulediellit, arrat dhe drithërat e plota. Suplementi me vitaminë E duhet të përfshijë si tokoferole, ashtu edhe tokotrienole. Rekomandohet shmangia e suplementëve me përmbajtje alfa tokoferoli, për shkak se kjo formë është sintetike dhe jo natyrale.

Efektet e dëmshme
Përveç një efekti antikoagulant, vitaminës E nuk i njihen efekte anësore apo toksike. Rrjedhimisht, personat të cilët marrin medikamente kundër koagulimit të gjakut (anti-koagulantë), duhet të bëjnë kujdes gjatë marrjes së dozave të larta të vitaminës E.
(femina.al)



No comments:

Post a Comment