Të bësh pushime të mira, të shëndetshme, por… edhe të lira. Shumë mirë do të ishte. Kjo është edhe arsyeja pse shumë kanë hequr dorë nga pushimet në pikun e vapës, sidomos në muajin gusht, kur çmimet bëhen edhe më të “nxehta”. E rëndësishme është të kalohet mirë, edhe pse gjatë asaj vapës së tmerrshme do të të duhet të shkosh në zyrë dhe t’i kesh zili kolegët e punës që në atë periudhë ikin e ndërsa ti gati-gati i ke harruar të tuat… Por, kjo nuk duhet të deziluzionojë askënd. Le të mendojmë për pushimet që kemi përpara. Që ato të jenë me sa më pak kokëçarje, duhet pasur kujdes për “detajet”, që në fakt janë shumë të rëndësishme… E kemi bërë edhe herë të tjera dhe po e bëjmë sërish. Po ju kujtojmë se çfarë nuk duhet të harroni përpara se të niseni për rrugë.
Shëndeti
• Çdo vend i botës karakterizohet nga një situatë e ndryshme shëndetësore. Është mirë të informoheni nëse është e nevojshme dhe këshillohet të bëni ndonjë vaksinë, para se të ikni për pushime. Aq më tepër nëse bëhet fjalë për ndonjë vend afrikan apo aziatik.
• Lexoni me vëmendje të gjitha pikat e figuracionit shëndetësor për të ditur se çfarë shërbimesh janë të parimbursueshme.
• Nëse jeni alergjikë, mos harroni të merrni në valixhe medikamentet e nevojshme (kundër temperaturës, kundër ënjties, antibiotik, kremra për djegie apo pickime insektesh (në fakt këto është mirë t’i keni edhe nëse nuk jeni alergjik). Sigurisht, duhet të bëni kujdes dhe të respektoni mënyrat e ruajtjes dhe, nëse udhëtoni me avion, rregullat e transportit.
Dokumentet
• Përpara se të niseni, verifikoni se cilat janë dokumentet e domosdoshme për familjen, e më së shumti në ato raste kur udhëtoni me fëmijë të vegjël.
• Pas liberalizimit të vizave, kemi mundësi të udhëtojmë në vendet e Bashkimit Europian pa pasur nevojën e një vize, por ka edhe vende ku duhet një e tillë, kështu që merrni të gjithë informacionin e duhur, që të mos mbeteni gafil në aeroport. Kujdes siguracionin e shëndetit, edhe për në vendet e BE-së, i cili duhet të mbulojë të gjitha ditët e qëndrimit tuaj jashtë vendit.
• Për të evituar çdo lloj të papriture, ndërmerrni një veprim të zgjuar: skanoni dokumentet e identitetit dhe ato të udhëtimit dhe i dërgoni një kopje vetes me e-mail, me qëllim që të mund t’i printoni në çdo kohë dhe në çdo vend të botës (veç mos ju marrtë perëndia mendtë e shkoni në ndonjë vend ku nuk keni mundësi të hapni e-mailin e t’i printoni…)
• -Mos harroni të merrni me vete të gjitha kontratat dhe faturat e lëshuara nga agjencia e udhëtimit, ku keni bërë prenotimin. Mos harroni të merrni numrin e telefonit, e-mailin dhe adresën e agjencisë turistike për të njoftuar në çdo rast problemi.
(www.panorama.com.al)
No comments:
Post a Comment