Kreu i LSI-së, Ilir Meta, foli dje për procesin gjyqësor në Gjykatën e Lartë kundër tij për përgjimin e bërë nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Meta e cilësoi këtë proces si nul dhe joligjor, pasi Prokuroria po vepron me prova të falsifikuara. “Procesi është nul për dy arsye kryesore, thelbësore. Kjo sepse nuk ekziston asnjë provë origjinale që mund të merret si një provë e ligjshme. Nuk flasim thjesht për aspektin procedural, që është bërë një përgjim pa leje apo i paautorizuar etj. Por nuk ekziston asnjë provë origjinale. Nuk ekziston një filmin origjinal ndaj person tim. Ka materiale origjinale, por ato janë për persona të tjerë, jo për mua. Pra këtu kemi të bëjmë me mashtrimin që i është bërë Prokurorisë dhe institucioneve të drejtësisë, që është një vepër penale. Së dyti, provat e tjera, të cilat janë kopje të hedhura nga një kompjuter në një tjetër, janë të manipuluara, dhe këto janë lehtësisht të verifikueshme. Së treti, transkriptimi i bërë këtyre provave të manipuluara rrëzon totalisht përmbajtjen e kësaj kasete”, tha Meta, i cili shtoi se një ekspertizë ndërkombëtare do të çohet në gjykatë për të vërtetuar këto. “Të tria ekspertizat ndërkombëtare, edhe pse të paligjshme për faj të Prokurorisë, jo për faj të avokatëve të mi, tregojnë qartë që jo vetëm është shkelur ligji me të dyja këmbët nga ana e Prokurorisë, por ka pasur vetëm një qëllim: ta zvarrisë pafundësisht këtë proces vetëm për arsye politike”, tha ai. Sipas Metës, ish-ministri Prifti po mbahet peng nga Prokuroria dhe se procesi ndaj tij është tërësish politik. “Ky është personi që bëri përgjimin, por që është i pavlefshëm nga ana juridike si dëshmitar, përveçse i pabesueshëm, sepse ai është i pandehur për veten e tij në një procedim të lidhur me këtë çështje dhe është peng i Prokurorisë për t’u përdorur kundër meje. Unë i kam deklaruar që në fillim të kësaj çështjeje, por ka pasur si qëllim zvarritjen e këtij procesi, mbajtjen peng të imunitetit tim dhe keqpërdorim e kësaj çështjeje, kryesisht për shkak të zgjedhjeve të 8 majit, sepse ndoshta ju nuk e dini, por Prokuroria, e ka pasur të gjithë kohën për të ecur përpara në të gjithë këtë hetim dhe e ka pasur bashkëpunimin tim të plotë. Vetëm dy ditë para 8 majit më kërkonte për të më komunikuar se unë isha marrë i pandehur, por ju e dini shumë mirë se unë kam qenë i hapur që në fillim të këtij procesi, ndërkohë që Prokuroria ka qenë në mënyrë të njëanshme, ekstreme do të thosha, pikërisht në krahun e ankuesit. Që Prokuroria është politike, këtë e dinë të gjithë, aq më tepër pas ngjarjeve të 21 janarit”, tha Meta, i cili shtoi se nga ky rast mund të nisë një reformim në Prokurori.
(panorama.com.al)
No comments:
Post a Comment