Turizmi, Greqia destinacioni i shqiptarëve këtë vit

Pavarësisht motit të çuditshëm tropikal që ka kapur vendin, sezoni turistik është çelur zyrtarisht dhe pushuesit kanë nisur të vërshojnë me kërkesat e tyre drejt agjencive turistike. Megjithë krizën e përgjithshme ekonomike dhe mungesën e besimit për të ardhmen e si rrjedhojë uljen e kërkesës së konsumatorëve për mallra dhe shërbime, duket se qytetarët shqiptarë kanë kursyer gjithë vitin për pushimet verore. Agjencitë turistike në kryeqytet raportojnë se interesimet për paketa turistike kanë nisur që në muajin prill. Sipas tyre, me liberalizimin e vizave, vera 2011 shënon të paktën 30% më shumë kërkesa se vitin e kaluar, ndërsa edhe prenotimet konkrete janë në nivel të kënaqshëm. “Tregu i brendshëm është shumë pak ose aspak i kërkuar,” - shprehen agjentët turistikë. 

Turistët shqiptarë, sipas tyre, preferojnë më shumë pushimet jashtë kufijve, pasi kërkojnë të eksplorojnë vende të reja, por mbi të gjitha kanë komoditetet e nevojshme dhe çmimet më të lira. Agjentët turistikë thonë se këtë verë destinacioni surprizë dhe më i kërkuar është Greqia fqinje, pasi vështirësia e vizave nuk ekziston më dhe çmimet janë tepër të lira për shkak të krizës së thellë ekonomike që ka prekur vendin helen. Çmimet e hoteleve për në ishujt e bukur grekë variojnë nga 300 euro për një javë për person me mëngjesin dhe darkën e përfshirë. 

Por agjencitë turistike në kryeqytet ofrojnë edhe paketa për fundjavë drejt Greqisë, ku çmimi nis nga 199 euro për person në hotel me 5 yje. Ndërkaq, destinacioni i preferuar i shqiptarëve sipas agjentëve turistikë në kryeqytet, mbetet Turqia, pasi të gjitha hotelet ofrojnë ushqim të bollshëm dhe aktivitetet sportivo-kulturore të pafundme. Çmimet për në Turqi/ Antalya nisin nga 499 euro për person. Edhe vendet e rajonit preferohen nga turistët shqiptarë. Interesimet më të shumta sipas agjentëve turistikë janë për bregdetin e bukur të Kroacisë, por prenotimet për këtë destinacion janë më të pakta, pasi çmimet janë më të lartat që ofron turizmi i rajonit, madje shumë më të larta edhe se një vit më parë. Në këtë mënyrë, një person për një dhomë teke me pamje nga deti në një hotel në Kroaci, për një qëndrim njëjavor duhet të paguajë 2.343,00 euro. Edhe destinacionet e reja turistike që ofrojnë agjencitë e Tiranës, si Spanja, Egjipti janë të kërkuara. 

Agjentët turistikë shprehen se kohëzgjatja e preferuar e pushuesve shqiptarë për destinacionet e huaja është një javë, jo vetëm për çmimin më të favorshëm, por sipas tyre ndodh që shumica e pushuesve ndërrojnë destinacionin brenda një sezoni, duke bërë një javë pushime në një destinacion dhe një javë në një destinacion tjetër. Sipas punonjësve të agjencive turistike, organizimi dhe menaxhimi i hoteleve shqiptare është ende larg për të ofruar një turizëm cilësor, pasi Shqipëria vazhdon me mentalitetin “last minute’, pra çdo gjë në minutën e fundit. Në këtë mënyrë, turistët e huaj druajnë për të ardhur, pasi ata i organizojnë pushimet e tyre gjashtë muaj më parë, ndërkohë që në atë periudhë hotelet shqiptare ende nuk kanë nisur të përgatisin ofertat e tyre dhe t’ua dërgojnë agjencive turistike që ofrojnë këtë lloj shërbimi.

Çmimet e paketave turistike

Pushime në GREQI 7 ditë 14 ditë

Dhome 2-she pamje Deti 885 € 1 264 €

Dhome 3-she pamje Deti 1 198 € 1 711 €

Dhome 2+1 fëmijë 2-12vj pamje Deti 885 € 1 264 €

Dhome 2+2 fëmijë 2-12vj pamje Parku 946 € 1 352 €

Fundjavë në Korfuz / 3 net - 4 ditë (16-19 qershor) 199 euro/person/ Hotel 5* mëngjes+darkë.

Kroaci - pushime 2-javore

Dhomë teke 1 korrik € 2.343,00

Dhomë 2-she 1-korrik € 2.675,00

Dhomë 3-she 1-korrik € 4.388,00

Dhomë 2+1fëmijë 2-12vj € 3.920,00

Turqi
Catamaran Hotel

Ultra All inclusive

24 qershor 7 net € 499 për person

Barut Hotels Labada

Ultra All inclusive

24 qershor 7 net € 690 për person

Meryan Hotel

All inclusive

24 qershor 7 net € 590 për person

Club Alibey Manavgat&Park

All inclusive

Nisja 24 qershor 7 net € 749

Imperial Deluxe Hotel

Ultra All inclusive

Nisja 24 qershor 7 net €469

(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment