Kështu diferenca negative prej 32 milionë eurosh është pjesa e deficitit që pësoi ekonomia vendase në bilancin e pagesave në zërin udhëtime. Burimet në Bankën e Shqipërisë thanë se një situatë e tillë ishte e pritshme. Për shkak se edhe vende të tjera të rajonit, të cilat kanë liberalizuar regjimin e vizave para Shqipërisë, janë përballur me dalje masive të valutës jashtë.
Mirëpo Shqipëria, pavarësisht se është përballur me këtë fakt, efektet kanë qenë më të lehta se në Rajon, pasi deficiti ka qenë më i ngushtë se ai që kanë përjetuar Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia një vit më parë. Burimet në autoritetin qendror bankar shpjegojnë se sjellja në këtë mënyrë e bilancit të udhëtimeve është karakteristike në këtë periudhë. Por situata përmirësohet ndjeshëm në tre tremujorët e tjerë të vitit, kur hyrjet valutore nga udhëtimet që njihen edhe si të ardhura nga turizmi janë shumë më larta se daljet, duke bërë që në fund të vitit në tërësi bilanci të jetë pozitiv. Mirëpo për këtë vit duhet të presim, për shkak se është viti i parë që mat efektin e liberalizimit të vizave në hyrje daljet valutore.
Ndër vendet e rajonit, Shqipëria ka një numër të lartë emigrantësh të ikur në vendet e BE-së, kryesisht në Itali dhe Greqi, në dy dekadat e fundit, për shkak të varfërisë së thellë në të cilën u gjend vendi në fillim të viteve ‘90. Kjo gjeneratë e re emigracioni në të shumtën e rasteve e ka gjysmën e familjes në Shqipëri. Duke bërë kështu që në Shqipëri mos të ketë një familje që nuk ka një të afërm ose anëtar të saj në emigracion. Gjatë këtyre viteve, për shkak të regjimit të vizave, shumë prej familjarëve në Shqipëri nuk kanë pasur mundësi të vizitojnë të afërmit në emigracion.
Sipas shifrave zyrtare, rreth 30 për qind e popullsisë shqiptare është në emigracion ose gati 1 milion. Në tre vitet e fundit, remitancat kanë ndjekur një prirje të qartë rënëse, nga 14.6 për qind të PBB-së që ishin në vitin 2005, në rreth 10.6 për qind në vitin 2008. Në terma vjetorë, në vitin 2008 remitancat shënuan një rënie prej rreth 6 për qind kundrejt vitit 2007. Duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, emigrantët sollën 361 për qind në fund të vitit 2009, në krahasim me vitin 2008.
Me liberalizimin e vizave, kjo tendencë do të thellohet, pasi shqiptarët do të shpenzojnë më shumë gjatë udhëtimeve të tyre, por nga ana tjetër do të ketë edhe një përfitim për shkak se mënjanohen kostot të cilat shoqëronin nxjerrjen e një vize. Bilanci i qartë i këtij fenomeni do të zbardhet në pjesën e dytë të vitit 2011. Fenomeni i daljes së valutës jashtë vendit është përcjellur tashmë edhe në kursin e këmbimit ndërmjet lekut dhe euros.
Monedha vendase ka pësuar zhvlerësimin më të lartë që kur euro u prezantua fizikisht në tregje. Këto ditë një euro kushton 143 lekë në tregun e lirë të këmbimit ose plot 5 pikë më shumë se në fillim të dhjetorit, kur vizat ende nuk ishin hequr. Një pjesë të nënçmimit të lekut ndaj euros Banka e Shqipërisë ia ka dedikuar pikërisht rritjes së fluksit të udhëtimeve të shqiptarëve jashtë vendit.
(www.mapo.al)
No comments:
Post a Comment