Rezultati i Tiranës, KQZ vazhdon me numërimin e 15 kutive

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të numërojë sot edhe 15 kutitë e tjera, nga 26 kutitë me fletë të kontestuara apo të gjetura në kutitë e gabuara. Këto kuti u ankimuan nga Partia Demokratike.

Gjatë rinumërimit të 11 kutive, u gjetën 7 vota në favor të kandidatit të “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama dhe 4 vota për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha.

Përmes numërimit të votave të kontestuara në 11 kutitë, avantazhi i kandidatit demokrat Lulzim Basha u ngushtua në 77 vota avantazh ndaj kandidatit socialist Edi Rama.

Procesi i numërimit të votave në KQZ pritet të ndryshojë rishtas rezultatin për bashkinë e Tiranës, ndërkohë që rezultati i mëhershëm i shpallur nga ky institucion është ankimuar nga Partia Socialiste në Kolegjin Zgjedhor, i cili pritet të japë vendimin këtë të premte në 3 qershor.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment