PS: Oferta e Berishës për të hequr vëmendjen nga vjedhja e zgjedhjeve

Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, mbajti një deklaratë për mediat, ku iu përgjigj deklaratave të Berishës se është gati të ofrojë poste për opozitën. Sipas Bushatit, oferta e Berishës për shkëmbim pushtetesh është e pavërtetë. Sipas tij, ajo bëhet për të larguar vëmendjen nga masakra që po bëhet në tavolinën e KQZ.

“Ne besojmë se Shqipëria ka nevojë për një projekt real reformash dhe për adresimin e kritereve të BE. Për të dialoguar me opozitën, Saliu duhet të heqë dorë nga vjedhja e mandatit të Tiranës e pastaj të nxjerrë rezolutën tonë të hartuar në dhjetor të vitit 2010 dhe ta miratojë,” tha Bushati.

“Konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE flasin qartë për situatën shqetësuese të procesit në Tiranë. Epërsia e shtetit të së drejtës qëndron tek zbatimi i kuadrit ligjor, jo tek ndryshimi i rregullave pas lojës,” vijoi më tej deputeti i PS. Ai tha se zgjedhjet nuk përmbushën standardet e njohura ndërkombëtarisht.

“Përmbushja e standardeve zgjedhore është një kusht kryesor i BE. Qëndrimet e BE, të ripërsëritura nga Ashton dhe Fyle, tregojnë qartë se për shkak të manipulimit të vullnetit të popullit në tavolinë, Shqipëria nën pushtetin e Saliut renditet e fundit në vagonin e integrimit. Saliu po dëshmon hapur se projekti i tij nuk është një Shqipëri e re, por një Shqipëri e kapur nga oborri i tij,” tha Bushati.

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment