Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani në mbledhjen tejet të shkurtër të KQZ-së kërkoi shtyrjen e saj për në orën 18.00.
Relator i çështjes së ankimuar do të jetë vetë kreu i KQZ-së Ristani.
Gjatë mbledhjes së pasdites KQZ do të shqyrtojë ankesën e Partisë Socialiste si dhe do të vijojë me shpërndarjen e mandateve.
Dje, Partia Socialiste ankimoi pranë KQZ-së vendimin nr. 1158 të marrë në 25 qershor nga KQZ, i cili shpalli fitues të garës për kryetar bashkie në Tiranë, kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha me 93 vota më shumë se rivali i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama.
Kërkesa ankimore e socialistëve ka dy objekte: shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së, që shpalli fitues me 93 vota, kandidatin e mazhorancës Lulzim Basha, dhe shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 qendra votimi në kryeqytet dhe ripërsëritjen e tyre në këto QV.
Socialistët argumentojnë në ankesën prej nëntë faqesh se gjatë procesit zgjedhor për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës është shkelur ligji, është cënuar integriteti i procesit zgjedhor, integriteti i kutive të votimit duke ndikuar në përcaktimin e kandidatit fitues, si dhe ka mospërputhje të shifrave të votuesve me votat e numëruara.
Gjithashtu Partia Socialiste ka renditur edhe parregullsi të shumta që lidhen me kutitë e dëmtuara, mungesën e numrit respektiv të fletëve të votimit në disa qendra, gjetjen e fletëve të votimit më shumë se numri i zgjedhësve në disa qendra të tjera.
Në rast se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të rrëzojë ankesën e PS-së, që duket se është rasti më i mundshëm atëherë ashtu siç ka paralajmëruar, PS do të ndjekë rrugën ligjore drejt Kolegjit Zgjedhor për të kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë dhe ripërsëritjen e votimit.
Mandej, në rast se edhe Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e paralajmëruar nga Partia Socialiste duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së që shpalli fitues Lulzim Bashën me 93 vota ndaj rivalit socialist Edi Rama, atëherë përmbyllet këtu odiseja zgjedhore afro dymujore për qeverisjen e Tiranës dhe kryebashkiaku i kryeqytetit Lulzim Basha mandatohet në detyrën e re.
Por, është i mundshëm edhe një skenar tjetër, se nëse Kolegji pranon ankesën e pritshme të PS-së dhe shpall pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë, bazuar në pretendimin e socialistëve për mospërputhje shifrash dhe cënim të integritetit të kutive, atëherë odiseja e zgjedhjes së kryebashkiakut të Tiranës do të vijojë më tej duke e shndërruar Tiranën gjatë kësaj vere në një fushëbetejë politike mes dy partive politike kryesore në vend.
(www.noa.al)
No comments:
Post a Comment