Letërsia, me nota maksimale 2000 nxënës më shumë se vjet

Shifrat përkojnë në progresion. Janë rreth 200 mbetës më pak dhe 2000 nxënës më shumë që kanë marrë rezultate maksimale në provimin e parë të maturës.Në krahasim me vjet, rezultatet e nxënësve dëshmojnë për një përgatitje më të mirë. Gjithçka e bën me dije Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve. “Numri nxënësve që janë vlerësuar maksimalisht me 9 dhe 10 kapi shifrën 6 mijë në të gjithë vendin, ndërsa vitin e kaluar kishim 4000. Po kështu edhe numri i mbetësve vjet ishte rreth 1200. Këtë vit nuk i kaloi të 1000 vetat”, thanë specialistët e AVA-s. Ata shprehen optimistë edhe për Matematikën, ndonëse provimi i dytë konsiderohet në çdo maturë disa herë më i vështirë se i pari. Krahasuar me vitin 2010 ka një rritje me 2% të notave maksimale dhe një rënie 0.4% të numrit të mbetësve. “E përkthyer në përqindje, këtë vit kishim 15% të maturantëve që u vlerësuan me 9 dhe 10 dhe 2.8% e maturantëve nuk e kaluan provimin. Vjet ishin 13.1% e maturantëve që u vlerësuan maksimalisht dhe 3.2 prej tyre jokalues”, thanë specialistët. Në të katër provimet e maturës vitin e kaluar u regjistruan rreth 5000 mbetës. Automatikisht ata humbin të drejtën për të konkurruar për në shkollat e larta dhe nuk pajisen me Diplomën e Maturës. Shansi i vetëm është t’i rijapin provimet vitin që vjen. Maturantëve u kanë mbetur tashmë vetëm lëndët me zgjedhje. Atyre do t’u nënshtrohen më datë 30 qershor. Pas marrjes së rezultateve, kush i ka marrë të katër provimet, do të plotësojnë formularin A2. Me anë të tij do të rendisin 10 preferencat për degët e universitetit. Afati i fundit i plotësimit të formularit A2 do të jetë data 30 korrik. Më tej, mbi bazën e pikëve që grumbullon secili maturant dhe kuotave të pranimit të vendosura nga qeveria, do të përcaktohen fituesit. Nga 10 preferencat, kandidati do të shpallet fitues vetëm në një degë, në rast se ka pikët e mjaftueshme. Pikët llogariten sipas një formule të posaçme, e cila merr për bazë 5 komponentët e maturës. Përveç 4 provimeve, llogaritet edhe mesatarja e katër viteve të shkollës së mesme në masën 20%. Sipas MASH, formularin A2 e plotësojnë vetëm nxënësit që kanë kaluar në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje. “Çdo maturant mbetës (me notë të shkallëzuar më të ulët se 4.51 ose të rrumbullakosur 5, qoftë edhe në një nga provimet), ka të drejtën e riprovimit të lëndës në vitet e ardhshme shkollore”, ka bërë me dije MASH.

Në auditorë, rreth 24 mijë studentë të rinj

Universitetet do të presin këtë vit 23 843 studentë të rinj. Nga trojet do të kenë mundësi të ulen në auditorët e shkollave tona 700 studentë. Në universitetin më të madh në vend, atë të Tiranës, numri i pranimeve thuajse ka mbetur i njëjtë me vitin e kaluar. Krahasuar me vitin 2010, ku kuotat u rritën me 11 %, këtë vit kemi një shtesë vetëm me 9 %. Sa i përket tarifave të shkollimit, ato kanë pësuar një rritje, e cila varion nga 900-1200 lekë. Kjo shtesë është argumentuar nga Kryeministri si domosdoshmëri, për shkak të inflacionit. Për t’u pranuar në shkollat e larta këtë vit pritet të konkurrojnë rreth 40 mijë maturantë. Por vetëm pak më shumë se gjysma e tyre do të mund të nisin një shkollë të lartë publike. Sa i përket shpërndarjes së kuotave, rreth 1/3-tat e tyre janë të orientuara në teknologjinë e informacionit, shkencat inxhinierike dhe shkencat natyrore. Vetëm në teknologjinë e informacionit, në 22 degë apo diploma të lidhura me të, nisin studimet për vitin e ardhshëm akademik 4500 studentë. Me përfundimin e provimeve dhe marrjen e rezultateve, maturantët do të kenë mundësi të bëjnë vetë një llogaritje paraprake të pikëve.

41 mije
maturantë do të japin këtë vit provimet me detyrim dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore. Në rast se nuk marrin njërin nga provimet, ata nuk do të pajisen me Dëftesën e Maturës

200 ngeles
më pak se vitin e kaluar ka pasur këtë vit në provimin e parë të detyruar, atë të Letërsisë. Sipas MASH, përgatitja e maturantëve për këtë lëndë ka qenë më e mirë
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment