Kryebashkiaku i çuditshëm

Re të zymta qëndrojnë varë në qiellin e Islandës, ndërsa një grup skautësh marshojnë drejt varrezës, të ndjekur nga disa adoleshentë të zhurmshëm dhe burra të vjetër me kostume. Pas tyre pasojnë qindra banorë të Reikjavikut që mbajnë flamurin islandez me vete. Muzika ndalon dhe më pas turma e njerëzve rrethon një grua që është veshur me një kostum tradicional, e cila vendos një buqetë me lule mbi një rrasë vari.


Është dita e pavarësisë dhe njerëzit janë mbledhur për të përkujtuar 200-vjetorin e ditëlindjes së Jon Sigurdsson, Heroit Kombëtar të vendit që luftoi pavarësimin e Islandës nga Danimarka. Njerëzit vijnë dhe vendosin mbi varrin e tij buqeta me lule, përkujtojnë veprën e tij dhe shpesh bëjnë edhe fotografi përkujtimore te varri. Aty ndodhet edhe një burrë me një prerje flokësh shkurt fare, i cili gjithashtu vendos kurora mbi varr dhe bisedon me njerëzit që ka përreth dhe veçanërisht me ambientalistët dhe ata që janë kundër korrupsionit në qeveri.

Ai është Jon Gnarr, kryebashkiaku më i çuditshëm i kryeqytetit islandez, fushata zgjedhore e të cilit dhe vetë puna e tij, shkaktuan një tronditje të vërtetë në sistemin politik të vendit të vogël në veri të Evropës. Një vit më parë, ish-komiku që drejtonte në rininë e tij edhe një grup muzikor poetësh dhe këngëtarësh roku, mori kontrollin e bashkisë së kryeqytetit të vendit.

Ai dhe njerëzit që e mbështetën thanë se kishin si qëllim që me ardhjen në pushtet të transformonin politikën dhe mënyrën e të qeverisurit të vendit. Pranë tij është edhe një grua bionde e veshur me shije, që quhet Eva dhe që është një aktiviste e të drejtave të njeriut dhe kryetarja e komitetit që është marrë me organizimin e përkujtimit të ditës së pavarësisë.

Ajo sapo ka ardhur nga një aktivitet, në të cilin merrnin pjesë presidenti dhe kryeministri i vendit dhe kur e pyesin se si u ndie në këtë ceremoni, ajo përgjigjet se mezi arriti që të vërë buzën në gaz herë pas here dhe kur kjo ndodhte, ishte shumë e vështirë që ta bënte këtë. Ajo është anëtare e partisë së kryebashkiakut, që quhet Partia e Mirë dhe që doli në skenën politike të vendit një vit më parë me rastin e zgjedhjeve lokale, duke satirizuar politikën zyrtare dhe duke i çorientuar krejtësisht partitë tradicionale në vend.

Premtimi i parë që bëri kjo pari ishte që të deklaronte se nuk do të mbante asnjë nga premtimet politike që i kishte bërë popullit gjatë fushatës. Sigurisht që një premtim i tillë shkaktoi të qeshura gjatë mitingjeve zgjedhore, sepse ishte një ironi e hollë me të gjitha premtimet e politikanëve që zakonisht bëjnë një thes me premtime gjatë fushatave dhe më pas realisht mbajnë shumë pak, ose asnjë prej tyre. Sigurisht që këtë premtim për të mos e mbajtur fjalën nuk e kundërshtoi asnjë nga partitë politike konkurrente. Më pas, premtimet e bëra ishin të gjitha qesharake. Kështu, kandidati premtoi se do të lejonte përdorimin e drogës nga deputetët e parlamentit brenda 10 vitesh, e të tjera premtime të çuditshme dhe qesharake si këto, që të paktën i bënë për të qeshur njerëzit në mitingje. E vetmja reklamë që bëri partia ishte një kolonë e përditshme në një gazetë të përditshme, në të cilën në mënyrë të vazhdueshme shkruhej: “Partia e Mirë fton në gjirin e saj njerëz të mirë nga mosha 18 deri në 90 vjeç”.

Ndërsa në videon e fushatës së partisë shfaqej një grup nga partia, duke kënduar në kor këngën e Tina Turner “Simply the best”. Islanda, një vit më parë, ishte e etur për ndryshime rrënjësore, duke shkuar praktikisht thuajse në faliment, për shkak të falimentimit të bankave gjatë krizës financiare të fundvitit 2008. Faji i kësaj disfate të madhe si në të gjitha vendet e tjera që përjetuan një tërmet financiar, ishte i grykësisë së bankierëve dhe i politikanëve, që nuk arritën të parashikonin gjëmën që po vinte. Bankierët e këtij vendi peshkatarësh me një numër popullsie prej 210 mijë banorësh, synuan që ta shndërronin ishullin në një superfuqi financiare dhe sigurisht që nuk ia dolën dot.

Në këto rrethana krize të madhe, votuesit ishin në një kërkim të dëshpëruar të ndryshimit dhe politikanëve të rinj me mënyra të reja dhe Partia e Mirë përfitoi nga një kërkesë e tillë, për të lëvizur përpara dhe për të zënë vendin që zuri.

Kështu, në zgjedhjet lokale fitoi në Reikjavik me 34 për qind të votave. Në fjalimin e tij të fitores, kryebashkiaku aktual tha se askush nuk duhet që të kishte frikë nga kjo parti, sepse është Partia e Mirë dhe se nëse nuk do të ishte Partia e Mirë, çka ishte e vërtetë, atëherë anëtarët e saj do të ishin aq të sinqertë, sa ta quanin partia e keqe ose partia koti. Ishte një ton ironik ai i kryebashkiakut të ri, që po vinte në krye të kryeqytetit përmes një mënyre krejtësisht të re dhe origjinale.

“Shpirti njerëzor është shembur dhe goditur nga njerëzit shpirtvegjël e mendjengushtë që janë marrë gjatë gjithë këtyre kohëve me politikë. Ne nuk kemi një agjendë të përcaktuar, por, nga ana tjetër, jemi të zotuar që gjatë gjithë kohës që të bëjmë më të mirën për të ndihmuar njerëzit në jetën e tyre, në financa, por edhe për t’u dhënë ushqimin e duhur shpirtëror. Kur nuk e dimë diçka, nuk themi se e dimë, por me përulësi pranojmë injorancën tonë, duke u përpjekur që të bëjmë më të mirën për të zgjidhur dhe për të njohur problemet”, thotë Gnarr.

Aq sa ishin gazmorë dhe shakatarë Jon dhe njerëzit e tij gjatë karrierave të mëparshme dhe gjatë fushatës elektorale, aq seriozë janë treguar gjatë vitit të parë që kanë në duar frenat e drejtimit të kryeqytetit të vendit. Njerëzit janë befasuar me të vërtetë nga serioziteti me të cilin ata u kushtohen të gjitha halleve dhe problemeve të Reikjavikut, duke u përpjekur që të bëjnë më të mirën. Ata e pranojnë hapur që gjatë punës së tyre bëjnë edhe shumë gabime, krahasuar me problemet e mëdha politike dhe ekonomike të vendit. Fillimisht ata reduktuan shpenzimet e kryeqytetit, që përfshiu edhe shërbimin e transportit publik dhe rritën tatimet për shërbime të ndryshme, e, kryebashkiaku hoqi nga puna shumë njerëz që rrinin kot në administratën publike. Sipas tij, kjo ishte një punë shumë e vështirë dhe e dhimbshme, por e domosdoshme për të mbledhur një buxhet për qytetin dhe mbarëvajtjen e tij.

Ai e përshkruan veten si një anarkist që është frymëzuar nga njerëz të mëdhenj, si Gandi, Tolstoi, Bakunin. Një nga gjërat që pëlqen më shumë është që të irritojë njerëzit mendjengushtë dhe arrogantë, të cilët praktikisht kanë qeverisur vendin e tij prej dekadash. Të gjitha taktikat e tij origjinale i kanë nervozuar partitë politike të vendit, por kjo e ka bërë Jon një figurë edhe më popullore në vend. Edhe pse ka bërë gabime, sërish partia e tij, edhe pas një viti nga marrja e Reikjavikut, vazhdon që të preferohet, sepse të paktën, ndryshe nga partitë e tjera politike, nuk tha dokrra në fushatë dhe i bëri njerëzit për të qeshur.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment