Ja cila është filozofia e akademisë së Barçës

Flet një prej lektorëve të “La Masia”-s, Karles Folguera, mbi çelësin e sukseseve europiane
“Nuk jam i sigurt nëse lojtarë si Injesta, Pedro, Mesi apo Ksavi do të kishin pasur mundësi të arrinin në majat e Premier Ligës.” Një deklaratë e çuditshme, kur merr në konsideratë performancat e këtyre lojtarëve në finalen e jashtëzakonshme të Championsit ndaj Mançester Junajtid, aq më tepër kur kupton se ajo vjen nga drejtori i “La Masia”-s, akademisë së të rinjve të talentuar të Barcelonës, përmes së cilës kanë kaluar ata yje.

Nuk është aspak ekzagjerim të thuash se “La Masia”, një shtëpi fermerësh në shekullin e XVIII, ngjitur me stadiumin “Nou Camp”, qëndron në zemër të asaj fitoreje 3-1 ndaj Junajtid, kështu që Karles Folguerën, i cili thërriti 12-vjeçarin Lionel Mesi të kalonte ditët e tij të para në akademi, i ulur në një kënd të saj dhe i vetmuar pa folur me asnjë, ia vlen ta dëgjosh.

Tetë prej lojtarëve të Barcelonës, që luajtën në “Uembli”, kanë kaluar vitet e tyre të para të karrierës tek “La Masia” (që prej 1979-s është kthyer në shtëpinë e drejtuesve të Barcelonës, e cila ka 16 ekipe gjithsej), ndërsa i 9-ti, Ojer Olazabal, ishte në rolin e zëvendësuesit, kurse i 10-ti, Pep Guardiola, ishte në rolin e trajnerit.

“Aspekti fizik nuk është aq i rëndësishëm në krahasim me aftësinë për të marrë vendime, për të luajtur lojën me shpejtësi, teknikë dhe kapacitet për të thyer aksionet e kundërshtarëve,” tha Folguera në intervistën e bërë së fundi.

“Jam i bindur se në shumë klube të botës, por në veçanti do përmendja ekipet angleze, sepse i kam parë personalisht në Angli, ku aftësitë fizike kanë prioritet më të madh, nuk jam i sigurt nëse Injesta, Pedro, Mesi apo Ksavi do të kishin ndonjë mundësi për të rënë në sy.

Ajo që ne bëjmë me studentët tanë është një veprim i balancuar, ku prindërit, trajnerët dhe “La Masia” janë të gjithë faktorë përbërës. Nëse ne kemi një lojtar të ri të talentuar, i cili është paksa mbrapa me stërvitjen, mundohemi të fokusohemi tek ai, pa e humbur si lojtar. Ai ndoshta mund të humbasë vetë si individ, por duhet të dijë se po luan në një sport kolektiv.”

Askush nuk ka qenë më i mirë për ta kuptuar këtë, sesa Guardiola. “Pep nuk ishte i shpejtë si lojtar, por nga ana mendore ai mund të kontribuonte me gjëra, që të tjerët nuk mund t’i bënin,” kujton Folguera për një nga yjet më të përkrahur të tij, në ditën kur teknika e tij ka arritur kulmin, që prej udhëheqjes së klubit të tij drejt dominimit në Europë.

Folguera do të mbante një leksion prej 90 minutash në sallën e konferencave prej 700 vendesh (ulur) të shkollës së biznesit IESE, në lidhje me filozofinë dhe etikën e “La Masia”-s. Ashtu sikurse ishte i tejmbushur stadiumi “Nou Camp” herën e fundit, kur u festua ardhja e trofeut të fundit në shtëpinë “blaugrana”, edhe salla e konferencave ishte tashmë e rezervuar.

Folguera ka qenë pjesë e akademisë së të rinjve, e mbiquajtur poetikisht “La Cantera” (fidanishte), që në 2002-shin ka pasur një pjesë të meritës edhe për ekipin fitues të Championsit të 2009-s në Romë, ku mundën sërish Junajtid, duke pasur në atë ekip katalanas 7 produkte të akademisë (Valdes, Pyjol, Pike, Buskets, Ksavi, Injesta dhe Mesi).

Përpara leksionit ai tha se është diçka speciale, jo vetëm prej sukseseve të arritura nga ekipi i parë, por edhe sepse të mendosh nga jashtë dhe të vlerësosh të gjitha aspektet e çdo lojtari është diçka kritike. Diçka interesante është edhe koha e kaluar në këtë ambjent: stërvitja bëhet rreth 90 minuta në ditë, ndërsa në fundjavë luhet edhe një ndeshje kontrolli 90 minutëshe.

Ndërsa gjysmën e kohës Folguera e kalon duke studiuar akademitë më të mira të Anglisë dhe duke dhënë rreth 10% të “La Masia”-s në ndihmë të tyre. “Një nga gjërat që më bën të ndihem krenar është fakti se shumica e lojtarëve tanë të rinj janë me arsim të lartë, - theksoi Folguera.

Në Angli, kur ekipi përzgjedh një talent të ri, ata nuk i vënë rëndësi këtyre gjërave. Ne nuk shkojmë atje për t’i mësuar atyre futbollin, por për t’i edukuar ata. Nga ora 11 deri në 18 “La Masia” është shtëpia e të rinjve, ku ne duhet t’i njohim dhe t’i mësojmë ata, ose më thjesht të bëhemi ‘familja’ e tyre.”

Ai shton: “Kur lojtarët tanë janë 13 apo 14 vjeç, shumë gjëra mund të mos jenë të qarta, por në moshën 18-vjeçare ata duhet të bëhen më shumë të ndërgjegjshëm për sjelljen e tyre.” Për të gjetur talentët e ardhshëm, Folguera thotë se Barcelona ka të punësuar rreth 40 agjentë, që punojnë në Spanjë dhe jashtë saj. Raportet na vijnë neve dhe më pas fillojnë procedurat e seleksionimit.

“Kur mundesh të gjesh një talent dhe ta kompletosh atë, pavarësisht nëse është një 12-vjeçar nga Argjentina si Mesi, apo si Ksavi ose Pedro, ideja është e njëjta. Talenti është brënda tij, por ta formosh si talent dhe ta rrisësh që në moshë të vogël, ndihmon për të formuar identitetin sportive të tyre.”

Ka qenë tepër e rëndësishme në komunikim fakti që Guardiola dhe të gjithë asistentët e tij janë edukuar te “La Masia”. “Ai i ka përjetuar të gjitha rolet tek Barcelona, si lojtar, si kapiten dhe si trajner. Ai është trajneri i parë që kemi pasur, të cilit nuk është dashur t’i shpjegojmë atë që kërkojmë. Ai ishte këtu prej 5 vitesh. Kur të gjithë flasin të njëjtën gjuhë, siç ndodh te Barça, gjërat thjeshohen.”

Bota është mbajtur në njëfarë distance, por “La Masia” nuk është një manastir. Të gjithë lojtarët mbi 16 vjeç kanë agjentët e tyre, por ata nuk lejohen të futen brenda. Gjithashtu rregulla strikte aplikohen edhe në lidhje me orarin e fikjes së kompjuterave (rreth orës 11 të natës). Folguera thotë se nuk ka ndonjë rrezik për të rinjtë, që të shohim emisionin sportiv satirik katalanas, “Cracovia”.

“Ata e adhurojnë atë emision,” tha ai për audiencën në IESE, të cilët shpërthyen së qeshuri. Folguera insiston se ai së bashku me menaxherët e tjerë të Barçës janë të ndërgjegjshëm se pas 10 titujve kampionë në 3 vite, së bashku me titujt e ekipeve të moshave, ekziston një rrezik vetkënaqësie.

Ai shton: “Pep ka përgjigjen e duhur ndaj ndonjë lojtari që mund të thotë se nëse nuk arrin të fitojë ndonjë titull, nuk përbën problem. Pep e pyet atë lojtar se çfarë ka dashur të thotë me atë shprehje dhe më pas i nxit të shfaqin se çdokush vlen, qoftë edhe për 1 ditë të vetme.”
(www.sportishqiptar.com.al)

No comments:

Post a Comment