Do ta ndalim Man Utd’n

Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard shpreson që përforcimet që do t’i sjellë klubi këtë verë mund ta krijojnë një balancë në luftën e tyre me Manchester United. Ekipi i Sir Alex Ferguson i kaloi rivalët historikë, duke e siguruar titullin e 19-të në Premierligë muajin që shkoi.

Në anën tjetër, Liverpool nuk e ka fituar ligën që nga viti 1990. Trofeu i fundit i këtij ekipi daton në vitin 2006 në FA Cup. Pronarët e ‘Fenway Sports Group’ po planifikojnë të bëjnë përforcime afatgjate. Ata së fundmi e transferuan përfaqësuesin U21 të Anglisë, mesfushorin Jordan Henderson, për 20 milionë funte.

Gerrard është optimist se ‘Reds’ mund ta ndalin United dhe se do të fitojë më shumë trofe para se ta përfundojë karrierën në Anfield Road.

“Si fans dhe lojtar i Liverpoolit, është frustruese t’i shohësh rivalët e përjetshëm duke ngritur lart trofe. Por, ata i fituan titujt dhe na kaluan. Tash sfidë e jona është që të këndellemi. Ne duhet ta kemi të qartë se duhet ta kemi një skuadër me kapacitet që sezonin e ardhshëm të luftojë me Manchester United”, deklaroi 31 vjeçari për liverpoolfc.tv.

Ai e konsideron të rëndësishëm transferimin e yjeve në skuadër. Përfaqësuesi anglez është lodhur pa fituar trofe në vitet e fundit. “Dëshiroj të luaj mirë, të shënoj gola. Por, më e rëndësishme është që skuadra të luajë mirë dhe të gjithë ta mbyllim sezonin të lumtur”, shtoi ai.

Gerrard është duke e ndjekur një program rehabilitimi, pas lëndimit në ijë që e kishte pësuar në muajin mars. Ai do të jetë i gatshëm për fazën përgatitore, derisa thotë se pret një sezon të madh individual dhe ekipor.

“Kam luajtur futboll non-stop që kur fillova të merrem me këtë sport, në moshën 17 vjeçare. Kurrë nuk e kam pasur një periudhë prej më shumë se 4-5 javësh pa luajtur, kështu që kjo periudhë më shërbeu për të pushuar. Do të rikthehem i uritur dhe shpresoj në një sezon produktiv për mua. Mezi pres të fillojë sezoni i ri”, përfundoi Gerrard.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment