Berisha kundër FMN: Do të rrisim pagat, jo taksat

Disa vende që kanë refuzuar dhe kundërshtuar këshillën e FMN, sot janë pjesë e BE. Disa të tjera janë ende në limitin e varfërisë.Shqipëria ka vënë një bast zyrtar kundër këshillave të Fondit. Dje ishte kryeministri Berisha, që para deputetëve të vet, mbajti një fjalim, i cili paraqiste një tablo vendëse optimiste, me një kornizë të zymtë. Sidoqoftë, përmbledhtas, Berisha tha se ekonomia shqiptare ka sfiduar atë të BE dhe se nuk do të zbatonte asnjë nga këshillat e FMN.
Tabloja e Berishës
Në rast se ekonomia do të përkthehej në dritë, sipas paraqitjes së Berishës, Shqipëria nga lart do të ishte e vetmja copë toke e Europës që do të ndriçonte. Duke i folur deputetëve për takimet në mbledhjen e partive Popullore në BE, Kreu i qeverisë tha se ndryshe nga Europa, Shqipëria po e përballonte me sukses krizën ekonomike. “Kjo krizë ka përmasa shumë të thella, është shoqëruar me një papunësi që shkon nga 23-40 për qind në këto vende të prekura thellë nga kriza e borxheve në zonën euro.” Më tej, Kreu i qeverisë shtoi, duke prezantuar tablonë ekonomike të Europës, se shumë vende janë detyruar të prekin pagat dhe pensionet. “Kriza është jashtëzakonisht e thellë. Është shumë më e thellë nga sa mund të mendohet dhe imagjinohet. Këto vende i kanë ulur rrogat e pensionet nga 25–39 për qind dhe u kërkohet të vazhdojnë me ulje të tjera shumë më të mëdha”, theksoi Berisha, duke vendosur pikërisht pas kësaj fjalie ndarjen që ka ekonomia shqiptare me atë të BE, “ndërsa Shqipëria vazhdon rritjen më të madhe”. Kreu i qeverisë, edhe pse pranoi se vendi është një ekonomi tërësisht e hapur, renditi disa arritje që bëjnë dallim ekonomik mes krizës europiane dhe situatës në vend. Sipas tij, ne nuk jemi të shkëputur nga ekonomitë europiane. “Përkundrazi, ekonomia e vogël shqiptare është hiperglobale, siç është çdo ekonomi e vogël. Por në meritën më të madhe të reformave tona, në qoftë se në këto vende në shpatullat e një punonjësi privat rëndojnë një apo dy punonjës të sektorit publik, në Shqipëri është krejt e kundërta”.
Taksat dhe pagat
Pas ministrit të Financave Bode, Berisha vulosi politikën ekonomike kryekëput kundër këshillave të FMN. Duke treguar shembuj, se si kompani të huaja, fasone, kanë zgjedhur Shqipërinë gjatë këtij viti, për shkak të taksave të ulëta, Kreu i qeverisë tha se nuk do të kishte rritje të nivelit të taksimit. Vetëm pak ditë më parë, FMN këshilloi që taksa e sheshtë të rritej në 12 ose 15 për qind. “Fondi Monetar Ndërkombëtar pa arsye kërkon rritje taksash, duhet të jemi realistë, por modeli ynë funksionon. Ne kemi nevojë për biznese, por për lulëzimin e tyre. Ne kemi nevojë për sukses të biznesit. Ndaj dhe do të qëndrojmë vendi me taksat më të ulëta në Europë.” Më pas vjen edhe refuzimi i dytë. FMNN bëri thirrje që pagat dhe pensionet të mos rriten. Kjo, pasi paratë që shkojnë për plotësimin e deficitit të rritjes së pagave dhe pensioneve, fare mirë mund të përdoreshin për investime ose për uljen e borxhit. Por, Kreu i qeverisë sërish kundërshton. “Por çështja është se rritja e rrogave ka të bëjë me investimin në burimet njerëzore. Ndaj dhe ne do të vazhdojmë politikën tonë të rritjes së rrogave. Rritja e pensioneve është një çështje dhembshurie njerëzore. Asnjë vend nuk ka dyfishuar gjatë këtyre viteve pensionet e ulëta si Shqipëria. Por përsëri ne do të vazhdojmë politikën e rritjes së pensioneve”.

200 milione
dollarë është deficiti buxhetor në 5 muajt e parë të vitit 2011, sipas treguesve fiskalë të Financave. Ky deficit është 120 milionë dollarë më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Shpenzimet korrente

Qeveria e ka lëshuar më shumë dorën këtë vit kur bëhet fjalë për shpenzimet korrente. Krahasuar me një vit më parë, këto shpenzime janë rritur me plot 100 milionë dollarë. Në kohën kur flitet për një administratë të vogël shpenzimi, është shumë më i madh se më parë. Ndryshe nga sa pritej, që në këtë vit elektoral, të nxitura nga zgjedhjet e 8 majit shpenzimet kapitale të kapnin majën, rritja në këtë zë krahasuar me vjet është vetëm 25 milionë dollarë më shumë se 5-mujori i parë i 2010-s.

Rekomandimet e FMN

Rritja e taksave
Nëse shkurtimet e shpenzimeve shihen si jo realiste, atëherë taksat direkte ose kontributet duhet të rriten. Norma mjaft e ulët e taksës së sheshtë mund të rritet pa rrezikuar pozicionin konkurrues të Shqipërisë.

Pagat dhe pensionet
Konsolidimi i nevojshëm fiskal do të kërkojë masa të besueshme dhe përpjekje të vazhdueshme. Interesat, pagat dhe transfertat përbëjnë më shumë se dy të tretat e çdo leku që qeveria mbledh në taksa dhe tarifa. Nëse shpenzimet kapitale do të mbahen në nivelin aktual të PBB-së, pagat dhe transfertat do të duhet të indeksohen vetëm me inflacionin.

Dështimi i TVSH-së
Gjithashtu ka hapësirë për të përmirësuar administrimin e taksave, por kjo nuk është pa kosto. Për shembull, kreditet e akumuluara të TVSH-së dhe aplikimet për rimbursim që nuk janë proceduar, kanë arritur një nivel shumë të lartë dhe duhet të shlyhen shpejt si dhe rimbursimet korente të paguhen në kohë. Kjo do të jetë kritike për të rritur mbledhjen e taksave në të ardhmen

Kujdes borxhin
Ashtu si në 2010, buxheti është përsëri nën presion. Me politikat dhe trendin aktual deficiti parashikohet të rritet në 4T! për qind të PBB-së në 2011 dhe mbi 5 për qind në afatin e mesëm. Kjo do
të çonte borxhin publik shumë afër tavanit ligjor. Ashtu siç ndodhi vitin e kaluar, një tjetër rishikim i buxhetit në mes të vitit bëhet i domosdoshëm. Duhet të realizohen shkurtime prej rreth 1½ për qind e PBB-së (20 miliardë lekë).






(www.panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment