Argjentinasit ankohen për cilësinë e Shqipërisë

Në Argjentinë është folur pak për Shqipërinë, por edhe në ato raste kur është përmendur skuadra jonë Kombëtare, komentet kanë qenë me karakter kritik ose në formën e ankesave.I pari që është ankuar për nivelin e skuadrës dhe për paraqitjen që bëri ekipi ynë, ishte trajneri i skuadrës argjentinase, Serxho Batista. Ai ka pohuar se skuadra e tij fitoi një ndeshje shumë të lehtë dhe se, rivalët që kishte Mesi me shokët të hënën në mbrëmje, nuk ishin barometri i vërtetë për të pasur forcat. “Sigurisht që Shqipëria nuk ishte skuadër e një niveli që kishim menduar. Shumë vonë e mora vesh se një pjesë e mirë e titullarëve nuk kishin udhëtuar fare me ekipin. Unë jam i kënaqur për paraqitjen që bëri ekipi dhe këtë nuk mund ta fsheh. Jam i kënaqur për Lionel Mesin që ka një vullnet të jashtëzakonshëm dhe që pavarësisht kundërshtarëve modestë që kishim përballë, ai këmbënguli të luante deri në fund”, ka thënë trajneri Batista për mediat argjentinase. I kritikuar nga tifozët dhe nga media, numri 1 i pankinës argjentinase është ankuar duke thënë se Shqipëria ia bëri më të lehtë punën më shumë nga sa kishte menduar ai. “Duhet të jemi realistë dhe të pranojmë se ndeshja kundër Shqipërisë nuk ishte testi që kërkonim. Nuk mund të them se pas asaj paraqitjeje ne arritëm të matnim gjendjen tonë reale. Përkundrazi, u mbuluan artificialisht disa defekte tonat në fushë, gjë që nuk do të kishte ndodhur nëse përballë do të kishim pasur një skuadër më të organizuar”, ka shtuar Batista.

Kritikat
Kritikat më të mëdha i ka marrë Federata e Futbollit Argjentinas. Media ka kryqëzuar drejtuesit për ndeshjet e fundit miqësore të Argjentinës dhe ka kritikuar ashpër edhe trajnerin Batista, duke e cilësuar atë si një njeri që u bindet më shumë sesa duhet drejtuesve të Federatës. “Një fitore 4-0 ndaj Shqipërisë, për të cilën thuhet se ka ardhur me ekipin e dytë, nuk mund të zhbëjë zhgënjimet e fundit të skuadrës. Ne humbim në mënyrë të turpshme me Nigerinë dhe Poloninë dhe më pas, dominojmë barbarisht ndaj një ekipi për të cilin ishte paralajmëruar se kishte ardhur thjesht për shëtitje. Batista nuk mund të ankohet tani që i kanë mbaruar të gjitha ndeshjet, se skuadra nuk ka bërë testet e duhura”, shkruante e përditshmja “El Diar”.

Batuta e komentatorit

Duhet thënë se komentatori i televizionit kombëtar në Argjentinë që transmetoi ndeshjen e së hënës, ishte shumë i informuar mbi ekipin shqiptar. Megjithatë, ai nuk kurseu rezervat që kishte për faktin se Shqipëria kishte shkuar me një ekip modest në Buenos-Aires. Kur në fushë u fut Vajushi, komentatori u shpreh: “Në fushë ka hyrë një i ri shumë i talentuar shqiptar, që kërkohet nga disa klube në Europë, por ndoshta, kjo nuk është ndeshja e duhur ku ai duhet të debutojë”.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment