Shqipëria, si do të bëhet deri në vitin 2017 një Zvicër me det

Së bashku do të shohim realitet ëndrrën – Shqipëria vend i zhvilluar, që Shqipëria të bëhet një Zvicër e vërtetë me det….
Sali Berisha
Inaugurojmë së bashku këtë rrugë me vlerë rreth 2 milionë euro. Kjo rrugë, e ndërtuar sipas parametrave më të mirë evropian, u shërben 20 mijë banorëve të kësaj zone, që nga bashkia e Lezhës dhe komunat përreth.

Rruga që ne inaugurojmë sot është dëshmi e përpjekjes sonë të ndershme, të përbashkët, për të ndërtuar në çdo skaj, në çdo qoshe, në çdo fshat, në çdo komunë, në çdo qytet, Evropën që ne ëndërrojmë. Rruga e sistemi i ri rrugor që ne ndërtojmë përbën elementin më themelor në përpjekjen tonë për të realizuar një ëndërr fisnike, një ëndërr të merituar plotësisht: Shqipëria vend i zhvilluar.

Shqipëria vend i zhvilluar është ëndrra më e bukur, më e denjë, më e merituar për çdo shqiptar. Shqipëria vend i zhvilluar është ëndrra më e guximshme, por që kam bindjen më të madhe e më të plotë se ne, së bashku, këtë ëndërr do ta bëjmë realitet deri në vitin 2017.

Këto ditë po shihja statistikat më të fundit lidhur me të ardhurat për frymë në Shqipëri. Një nga këto institucione, ndër më seriozet në botë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, njoftonte se të ardhurat për frymë në Shqipëri janë 7400 dollarë.

Vëllezër e motra, sidomos juve që keni thinja në kokë dhe ballin me rrudhat e së shkuarës, nuk mund t’ju shlyhet nga mendja viti ‘92, kur ne ishim me të ardhura 204 dollarë për frymë dhe renditeshim ndër 3 – 4 vendet më të varfra të planetit. Sot, pas 20 vitesh, ne gjejmë se, me lumenj djerse, mundi, sakrifica, me punën e vetëmohimin e fëmijëve tanë, e bijve tanë në Greqi, në Itali e kudo në Europë, ky vend ka realizuar rritjen më të madhe të të ardhurave në historinë e këtij kontinenti. Ndaj dhe unë jam i sigurt se ne së bashku do të shohim realitet ëndrrën – Shqipëria vend i zhvilluar. Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme që, me mundin e djersën tuaj dhe reformat e thella e qeverisë, të bëhet një Zvicër e vërtetë me det. Potenciali i saj turistik është potenciali më i madh që mund të ketë një vend. Janë rreth 400 kilometra bregdet, nga më të bukurat në Mesdhe, për tu zhvilluar. Janë masivet malorë, ndër më mahnitësit në Europë, me potencial të jashtëzakonshëm turistik. Por mbi të gjitha është mikpritja, shpirti juaj i bardhë, shpirti i bardhë i shqiptarëve që ka bërë që në një kohë rekord, prej 6 vjetësh, në këtë vend turizmi të shndërrohet në degë kryesore të ekonomisë; që numri i turistëve të rritet nga 300 mijë në 2004 në 3.5 milionë në vitin e kaluar dhe këtë vit të shpallemi destinacioni kryesor turistik i planetit. Potencialet tona janë të jashtëzakonshme. Turizmi është vetëm njëri aspekt, por Shqipëria ka pasuri të pafundme natyrore. Pasuria kryesore e saj janë ujërat që burojnë nga të katër anët dhe që e bëjnë këtë vend një Norvegji të vërtetë të gadishullit të Ballkanit. Ujërat ne po i shndërrojmë në hidrocentrale dhe që së shpejti Shqipëria do të jetë vendi i parë me energji 100 përqind të rinovueshme. Lumenjtë, përronjt, burimet e saj do të shndërrohen në një pasuri të madhe, Shqipëria superfuqi energjetike në rajon. Ne do të realizojmë ëndrrën tonë dhe do të bëjmë që Shqipëria të jetë vend i zhvilluar, sepse ne jemi njerëz që punojmë, jemi njerëz që sakrifikojmë, jemi njerëz që pranojmë sakrificën më shumë se kushdo tjetër për një jetë të mirë. Ne jemi njerëz që bëjmë gjithçka që këta fëmijë t’i shkollojmë sa më mirë në Shqipëri e kudo në botë. Ne jemi njerëz që duam që të shfrytëzojmë të gjithë potencialin tonë, të gjitha energjitë tona për të ndryshuar këtë vend dhe e kemi ndyshuar atë më shumë se çdo vend tjetër, e kemi ndryshuar atë më shumë se 30 mijë vite të marra së bashku.

Shqipëria ka pasuri të mëdha nëntokësore. Gjithnjë e më shumë ajo bëhet dhe do të bëhet një vend i rëndësishëm për pasuritë e saj. Ka rezerva botërore të kromit, rezerva botërore të bakrit, të nikelit dhe mineraleve të tjera. Nafta shqiptare vjen gjithnjë në rritje.

Të dashur qytetare dhe qytetarë, në këtë vend ekziston çdo gjë. Ekziston dhe tjetër faktor, kudo që i hedh sytë, nga jugu në veri e nga lindja në perëndim, nuk gjen një metër tokë jopjellore. Zoti e ka bërë Shqipërinë, siç thoshin të parët tanë, Misir për prodhimet e saj. Ndaj është në dorën tonë të shtojmë pasuritë e kësaj toke e të këtij vendi. Të shfrytëzojmë çdo metër tokë. Unë ju garantoj se këto vite ne i kemi përqendruar fondet, më shumë se çdo vend tjetër, në rrugë dhe kemi bërë shumë mirë sepse rrugët janë zhvillim, janë lehtësi e madhe për ju, janë urbanizim, janë dinjitet. Rrugët bëjnë që shqiptarët ta duan më shumë e të ndjehen më krenar me vendin e tyre. Rrugët bëjnë të mundur që Shqipëria të përballojë një fluks prej miliona turistësh. Por pas projektit të rrugëve, projekti i dytë i madh kombëtar do të jetë vaditja dhe subvencioni masiv për çdo dru frutor që do të mbillni. Ne së bashku këtë tokë, e cila është e paktë, do ta shndërrojnë në kopshtin më të bukur të Evropës. Ne kemi më pak se të gjithë të tjerët në Evropë tokë bujqësore, por kemi tokën më pjellore se gjithë të tjerët.

Ne do ta bëjmë Shqipërinë të njohur në Evropë dhe në mbarë botën për prodhimet e saj, si një dëshmi kjo e potencialeve të mëdha që ka ky vend, si një vendosmëri e jona për tu ndarë një herë e përgjithnjë nga varfëria e skamja, si një vendosmëri e jona për të ndërtuar për vete dhe fëmijët tanë Shqipërinë vend i zhvilluar.

Fjala e kryeministrit Sali Berisha pas inaugurimit të rrugës së re Lezhë – Rrilë – Shënkoll
(www.noa.al)

No comments:

Post a Comment