CSM: Vendi në pikën e zierjes. PS shënoi sukses të madh në këto zgjedhje, fitoi në mbarë vendin

Nga Andrew MacDowall, 
The Christian Science Monitor

Ndërsa kriza politike dy vjeçare në Shqipëri rrezikon të dalë jashtë kontrollit, opozita po bën thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare.
Edi Rama, kreu rebel i Partisë Socialiste, ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente për të ndaluar krizën që të kthehet “në një bombë me sahat për të ardhmen e vendit.”
Skena politike shqiptare ka qenë thellësisht e ndarë që pas akuzave për manipulime që pasuan zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Që atëherë, tensionet janë ndezur pas vrasjes së katër protestuesve antiqeveritarë nga forcat e sigurisë në janar dhe përplasjes që po vijon në lidhje me votën për kryebashkiak në kryeqytetin Tiranë.

Tashmë tensioni politik është pranë pikës së zierjes.

Zoti Rama, që ishte kandidati në detyrë në zgjedhjet e Tiranës dhe që u konsiderua humbës në një garë të ngushtë, thotë se është grabitur në një garë të ngushtë dhe refuzon të pranojë.

Këtë javë, në një letër të hapur për shqiptarët, Rama nisi një sulm thumbues mbi kryeministrin Sali Berisha, Partia Demokratike e të cilit u vlerësua fituese në votën për kryebashkiak, duke e akuzuar atë për “vjedhje” dhe “vrasje të njerëzve të pafajshëm”.

Ai gjithashtu shprehu zhgënjimin e thellë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke thënë se ai e ktheu humbësin në fitues, dhe theu ligjin duke përmbysur një garë jashtëzakonisht të ngushtë në Tiranë. KQZ e shpalli Lulëzim Bashën, një yll në rritje në PD, fitues me shumë pak vota pas numërimit të votave të hedhura gabim.

Anëtarësimi në BE

Zgjedhjet lokale të majit mendohej se do ndihmonin në zgjidhjen e ngërçit politik dhe do shënonin një hap të ri përpara për progresin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, por kanë bërë krejt të kundërtën.

Shqipëria vijon të mbetet një nga vendet më të varfra në Europë, me shenjat e një trashëgimie të diktaturës të çuditshme staliniste të Enver Hoxhës, që e drejtoi vendin drejt një izolimi hermetik diplomatik dhe ekonomik.

Tranzicioni që pas rënies së komunizmit në vitin 1991 ka qenë jashtëzakonisht i vështirë dhe vendi shkoi në prag të luftës civile gjatë trazirave të vitet 1997 gjatë të cilave u vranë 3 deri në 4 mijë persona; ndarjet prej asaj kohë, e në fakt edhe prej dekadave më përpara, reflektohen në situatën aktuale politike.

Partia e zotit Berisha ruajti pushtetin në një garë elektorale në vitin 2009, të kundërshtuar ashpër. PS pretendon se fitorja e ngushtë e qeverisë ka qenë e paracaktuar, pavarësisht se vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se votimet ishin përgjithësisht të lira dhe të ndershme, dhe bojkotoi parlamentin për nëntë muaj në protestë.

Komisioni i Venecias

Rama kërkon tani që këtë mosmarrëveshje për votën për kryebashkiak ta dërgojë për shqyrtim në Komisionin e Venecias, një trupë ndërkombëtare kushtetuese e ngritur nga Këshilli i Europës- një lëvizje që hidhet poshtë nga Berisha.

“Nëse beteja ligjore nuk prodhon një rezultat të pranueshëm, atëherë opozita do i kthehet sërish asaj që e quan “rezistenca popullore”,” thotë Alba Çela, një studiuese pranë Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare. “Përfundimisht do kemi protesta, bllokime rrugësh e si këto”.

Rrëshqitja pas e Shqipërisë gjatë dy viteve të fundit ka shkaktuar shqetësime serioze për aleatët e saj në NATO e BE, por komuniteti ndërkombëtar është aktualisht i kujdesshëm që të mos shkelë në mënyrë të drejtpërdrejtë në një kacafytje vdekjeprurëse ballkanike. Edhe nëse Komisioni i Venecias do japë një mendim, ka pak shenja se partia e humbur do të pranojë rezultatin për shkak se tensioni është shumë i lartë.

Sfida për kryebashkiak

Rezultatet e para nga zgjedhjet e 8 majit sugjeronin se Rama kishte fituar një mandat të katërt me një diferencë fare të ngushtë prej 10 votash. Megjithatë, menjëherë mbërritën dhe komplikimet.

Votimet për Tiranën përfshinin katër zgjedhje të ndryshme, me fletët e votimit që duhej të vendoseshin në katër kuti të ndryshme. Disa nga fletët u vendosën në kutitë e gabuara dhe KQZ urdhëroi një numërim të paprecedent të këtyre fletëve. Pasi u përfshinë edhe votat e hedhura gabim, Basha doli fitues me 81 vota. PS apeloi kundër këtij vendi në Kolegjin Zgjedhor, që mbajti në fuqi fitoren e Bashës. Në përgjithësi, zgjedhjet lokale në mbarë vendin shihen si një sukses i madh për PS, që ka fituar në gjithë vendin, përfshi fitoren në disa bastione tradicionale të PS në veri.

Megjithatë, vendimi i KQZ dhe Kolegjit ka tërbuar opozitën, që pritet të bëjë një apelim përfundimtar në Kolegj, që pritet të dëgjohet më 13 qershor. Ndërkohë që edhe ky ankimim pritet të dështojë sërish, PS ka nisur të tregojë argumentet ligjorë kundër përfshirjes në rezultat të votave të hedhura gabim, duke hedhur akuza për manipulim dhe ndërhyrje politike.

Koordinatori i njohur i PS, Erion Veliaj, që është i afërt me Ramën, akuzon qeverinë për “vjedhje në mes të ditës në mënyrën më të trashë dhe më të hapur”.

“Gjykatësit janë shantazhuar,” thotë zoti Veliaj. “Në të gjitha zgjedhjet e mëparshme, votat e hedhura gabim janë cilësuar të pavlefshme”.

Veliaj i bën jehonë thirrjeve të Ramës për ndërhyrje ndërkombëtare, duke thënë se BE duhet të miklojë qeverinë për të dërguar këtë mosmarrëveshje në Komisionin e Venecias.

Shefja e politikës së Jashtme në BE, Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, kanë shprehur shqetësim në lidhje me bazën ligjore të vendimit të KQZ për të numëruar të ashtuquajturat votat e hedhura në kutitë e gabuara, por i kanë bërë thirrje politikanëve shqiptarë për të lënë mënjanë interesat partiake e për të kërkuar një zgjidhje.

SHBA, që e sheh Shqipërinë si një aleat të ngushtë, mund të ketë një rol për të luajtur. Ndihmës/asistenti i Sekretarit të Shtetit, Thomas Countryman, ka shprehur shqetësimin e Uashingtonit në lidhje me bazën ligjore për përfshirjen e votave të hedhura gabim në rezultat, e gjithashtu ka shprehur mundësinë për një vendim të Komisionit të Venecias, por ka shtuar se është përgjegjësia e Tiranës për të vendosur për kursin e veprimeve.

“Imazhi ndërkombëtar i Shqipërisë është shumë i keq,” thotë Çela. “Anulimi i një vizite të planifikuar nga presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso dhe Fule me arsyetimin se me këtë krizë nuk mund të ketë bisedime për integrimin është një sinjal i qartë- është një lajm i keq. Ekonomia shqiptare po vuan për shkak se investitorët e huaj janë të shqetësuar dhe për shkak se destabiliteti afatgjatë tremb turistët.”
(www.ama-news.al)

No comments:

Post a Comment