Parlamenti i kthen Topit dekretet

Kuvendi i kthen mbrapsht Presidentit të Republikës, Bamir Topi, tri kandidatura për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.Kandidatët Ardian Leka, Artan Hoxha dhe Edlira Jorgaqi nuk u votuan dje në Kuvend me arsyetimin se po zbatohet vendimi më i fundit i Gjykatës Kushtetuese. Sipas relacionit të Komisionit të Ligjeve, të miratuar dje në seancë, Kuvendi i shpreh Presidentit se Gjykata Kushtetuese vendosi që të mos miratohen më shumë se tri kandidatura për në këtë gjykatë, sepse duhet të ruhet parimi i ripërtëritjes çdo tre vjet me nga tre anëtarë. “Në lidhje me tri kandidaturat e tjera, vijimi i procedurës së brendshme parlamentare do të nënkuptonte dhunim të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, cilido që të ishte vullneti i Kuvendit i shprehur me votë. Ky vendim i Gjykatës dhe parimi i rotacionit që merret në mbrojtje prej tij, imponojnë ndërprerjen e menjëhershme të procedurave për tri kandidaturat e fundit. Këto procedura mund të kryhen vetëm pasi të plotësohet afati trevjeçar nga rotacioni i këtij viti. Për këto arsye, me qëllim që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe parimi i bashkëpunimit institucional që imponon Gjykata, Komisioni i Ligjeve ju propozon që dekretet t’i kthehen mbrapsht Presidentit të Republikës”, thuhet në relacionin e Komisionit të Ligjeve, të miratuar nga Kuvendi. Dje Kuvendi miratoi vetëm kandidaturën e Fatmir Hoxhës me 72 votat e maxhorancës në Kuvend, ku mungonte lideri i saj, kryeministri Sali Berisha dhe deputetët e opozitës për shkak të bojkotit. Me kandidaturën e Fatmir Hoxhës dhe me dy kandidaturat e miratuara 8 muaj më parë, të Altina Xhoxhajt dhe Bashkim Dedes, Kuvendi vendosi që misioni për këto emërime përfundoi. “Komisioni i Ligjeve sjell në vëmendjen tuaj se çështja e rotacionit nuk shtrohet për katër anëtarë, por për tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, kemi mbarimin e mandatit të gjyqtarëve kushtetues sipas vendimit të marrë nga Kolegji i Bashkuar i Gjykatës Kushtetuese. Në këto kushte duhet një rrugë, e cila të vërë mekanizmin në proces, një rrugë që të krijojë mundësinë që procesi të ecë dhe të jetë në balancë të drejtë me përcaktimin e normës kushtetuese, duke marrë parasysh edhe prezumimin se në Kuvend janë shqyrtuar relacionet e katër gjyqtarëve”, thuhet më tej në vendimin e Kuvendit drejtuar kreut të shtetit. Sipas relacionit të Komisionit të Ligjeve, Gjykata Kushtetuese sanksionoi me vendimin e fundit dy parime, atë të qëndrueshmërisë në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese dhe parimin i garantimit të kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues.

Sokol Ramadani, kreu i ri i ERE-s

Sokol Ramadani do të jetë kryetari i ri i Entit Rregullator të Energjisë, pas dorëheqjes së dhënë pak muaj më parë të Bujar Nepravishtës. Kuvendi miratoi kandidaturën e tij me 72 vota pro dhe vetëm një votë kundër. Ai garoi përballë vetëm një kandidature, atë të Adriatik Begos, i cili nuk u votuan nga Kuvendi. Ndryshe nga sa u veprua me dekretet e Presidentit për emërimin e gjyqtarëve të lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese me votim të hapur dhe nominal, kandidatura e Ramadanit u votua me votim të fshehtë elektronik. Rregullorja e Kuvendit përcakton që votimi i hapur është vetëm për kandidaturat që vijnë nga Presidenti i Republikës dhe jo kandidaturat e tjera që propozohen në Kuvend për krerë të caktuar institucionesh. Kandidatura e Adriatik Begos nuk u votua pasi, sipas Rregullores së Kuvendit, nëse kandidatura e parë merr shumicën e votave atëherë nuk votohet për kandidaturat e tjera.

Relacioni i Komisionit të Ligjeve

• Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj ka përcaktuar së pari: Neni 125 i Kushtetutës sanksionon dy parime të rëndësishme për garantimin e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese, që janë: parimi i qëndrueshmërisë në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese dhe parimin i garantimit të kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues.
• Në pajtim me detyrimin për të zbatuar vendimin e sipërcituar, Komisioni i Ligjeve vendosi të ballafaqojë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese me procesin që u pezullua për marrjen e vendimit përfundimtar për katër dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
• Komisioni i Ligjeve ka realizuar plotësisht procedurën e përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit për shqyrtimin e katër dekreteve për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht të këtyre kandidaturave: Ardian Leka, Fatmir Hoxha, Artan Hoxha dhe Edlira Jorgaqi. Ky proces është mbajtur pezull për shkak se dilte i nevojshëm interpretimi autentik për vlerën dhe rëndësinë e parimit të rotacionit për Gjykatën Kushtetuese.
• Janë miratuar raportet për të katërta dekretet që na kanë ardhur. Në këto raporte, Komisioni i Ligjeve ka vendosur t’i propozojë seancës plenare dhënien e pëlqimit për kandidaturën e z. Fatmir Hoxha dhe mosdhënien e pëlqimit për kandidaturat e Ardian Leka, Artan Hoxha dhe Edlira Jorgaqi.
• Komisioni i Ligjeve sjell në vëmendjen tuaj se çështja e rotacionit nuk shtrohet për katër anëtarë, por për tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, kemi mbarimin e mandatit të gjyqtarëve kushtetues sipas vendimit të marrë nga Kolegji i Bashkuar i Gjykatës Kushtetuese.
• Në këto kushte duhet një rrugë, e cila të vërë mekanizmin në proces, një rrugë e cila të krijojë mundësinë që procesi të ecë dhe të jetë në balancë të drejtë me përcaktimin e normës kushtetuese, duke marrë parasysh edhe prezumimin se në Kuvend janë shqyrtuar relacionet e katër gjyqtarëve.
• Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut propozon që Kuvendi duhet të vijojë procedurën në lidhje me kandidaturën që Komisioni e ka gjetur në përputhje me kriteret që Parlamenti ka për vlefshmërinë e kandidaturave për gjyqtarë kushtetues. Pra, kandidatura e zotit Fatmir Hoxha t’i nënshtrohet votimit për dhënie pëlqimi në seancë plenare.
• Në lidhje me tri kandidaturat e tjera, vijimi i procedurës së brendshme parlamentare do të nënkuptonte dhunim të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, kushdo që të ishte vullneti i Kuvendit i shprehur me votë. Ky vendim i Gjykatës dhe parimi i rotacionit që merret në mbrojtje prej tij, imponojnë ndërprerjen e menjëhershme të procedurave për tre kandidaturat e fundit. Këto procedura mund të kryhen vetëm pasi të plotësohet afati trevjeçar nga rotacioni i këtij viti.
• Për këto arsye, me qëllim që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe parimi i bashkëpunimit institucional që imponon Gjykata, Komisioni i Ligjeve ju propozon që dekretet t’i kthehen mbrapsht Presidentit të Republikës.


(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment