Matura, Tafaj: Asnjë kopje në provime

Procesi i provimeve të Maturës do të jetë i rregullt dhe transparent, ndërsa janë marrë masat për të eliminuar të gjitha kopjet e maturantëve në testim. Garancia është dhënë dje nga vetë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili i një ditë para nisjes së provimeve të Maturës i ka siguruar prindërit dhe maturantët se nuk do të lejohet asnjë kopjim në provim. Sot, 34 mijë maturantë nga i gjithë vendi do t’i nënshtrohen provimit të parë të Maturës, që është ai i Gjuhë-Letërsisë. Ndaj, dje, një ditë para provimit, kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka deklaruar se procesi i testimit do të jetë transparent dhe i rregullt, ndërkohë që janë marrë të gjitha masat, në bazë të rregullores së Maturës, për të eliminuar të gjitha kopjet gjatë testimit të të rinjve. “Procesi do jetë plotësisht i rregullt, transparent. Unë u thashë gjimnazistëve, procesin e kanë në dorë vetëm ata. Është dita e tyre, është festa e tyre dhe secili shkon në sallën e provimit për të treguar se çfarë ka arritur. Dëshiroj t’u uroj maturantëve suksese dhe të kemi besim se kemi një brez të shkëlqyer”, - tha ministri Tafaj. Këto deklarata ministri Tafaj i bëri gjatë një prezantimi të projektit të shtrirjes së gjuhës italiane në shkollat e mesme. Në bazë të një marrëveshjeje, maturantët shqiptarë që kanë ndjekur këtë gjuhë dhe dëshirojnë të studiojnë në universitetet italiane, favorizohen, duke mos u testuar për provimin e gjuhës.

“Seksionet bilinguale në gjuhën italiane do t’u japin mundësi të rinjve tanë që të përfundojnë Maturën në një standard krejtësisht të krahasueshëm me atë të shkollës italiane, çka do të thotë se do të pranohen në universitetet italiane pa asnjë provim plotësues”, - u shpreh ministri. Në këtë prezantim ka qenë i pranishëm dhe ambasadori italian Saba D’Elia, i cili tha se mësimi i gjuhës italiane në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme është mjaft i rëndësishëm për të afruar dy popujt. Ai u shpreh se aktualisht në universitetet italiane studiojnë rreth 20 mijë të rinj shqiptarë. Ndërkaq, për kopjimet në provimet e Maturës, ministri i Arsimit ka bërë të ditur edhe pak ditë më parë se këtë vit do të zbatohen të gjitha rregullat për të shmangur kopjet gjatë testimeve. Për këtë arsye, kreu i Arsimit është shprehur se do të ketë një proces të rreptë e transparent. “Nxënësit e kanë në dorë. Ne do të kërkojmë që procesi të jetë i pastër, i ndershëm për të gjithë. Rregullat kanë qenë gjithmonë të njëjta, vetëm se do zbatohen plotësisht”, - ka theksuar pak ditë më parë ministri Tafaj. Një vit më parë, në provimet e Maturës rezultoi se një grup i konsiderueshëm nxënësish, sidomos në rrethe, kishin kopjuar gjatë testimit, por me gjithë këtë fakt, masat penalizuese që u morën nga MASH ishin ulja e notës për maturantët si dhe vërejtje për largim nga puna për administratorët që e lejuan këtë shkelje të rregullores së Maturës. Për këtë arsye, përpos plotësimit të të drejtave të maturantëve për transparencë në procesin e Maturës, MASH këtë vit ka ashpërsuar së tepërmi penalizimet për ata që do të kopjojnë. Për herë të parë këtë vit, nëse një maturant do të përjashtohet nga provimi për kopjim, do të humbasë jo vetëm atë provim, por dhe të drejtën për të marrë pjesë në provimet pasardhëse për sezonin e këtij viti. Këto provime mund të jepen vetëm vitin e ardhshëm shkollor.

(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment