Vetëm katër ditë përpara ndeshjes më të madhe miqësore të historisë së përfaqësueses sonë me Argjentinën, kombëtarja kuqezi nuk po arrin të grumbullojë jo 18-shen për në Buenos Ajres, por as 16 lojtarë, me të cilët mund të përmbushim një detyrë minimale ndaj fanellës së përfaqësueses.
Një pjesë e lojtarëve, që luajtën në Bosnjë-Hercegovinë kanë problemet me klubet, një justifikim deri diku i pranueshëm, por pjesa tjetër e titullarëve kanë zgjedhur pushimet, përpara se të luajnë përballë Argjentinës së Mesit, apo thjesht një ndeshje miqësore, për të cilën kanë detyrimin moral.
Për ndeshjet zyrtare, një pjesë e tyre presin me padurim telefonatën e trajnerit Kuzhe, apo të përfaqësuesve të FSHF-së, ndërkohë që kanë preferuar “ta mbyllin” këtë herë telefonin. Trajneri Kuzhe ka mbërritur në Tiranë vetëm ditën e martë në mbrëmje dhe në deklaratën e tij të parë për këtë ndeshje, shpreh shqetësimin e tij.
- Mister, cilët janë lojtarët që do të luajnë në këtë miqësore?
- Të them të vërtetë, nuk e di, kam fjetur mbrëmë, duke menduar se çfarë do të mundohemi të sajojmë. Ende nuk kemi të qartë emrat dhe nuk kemi mbyllur listën.
- Do të jenë lojtarët e superiores ata që do të formojnë 18-shen?
- Shpresoj të na bëhen 16 lojtarë, se edhe me aq do të kemi mundësi të krijojmë një skuadër për ta zhvilluar këtë ndeshje, por do të jetë çdo gjë shumë e vështirë. Kjo nuk është një situatë normale, që të mos përgjigjen lojtarët, por do ta gjejmë një zgjidhje me emra të rinj dhe me atë pjesë që ka mbetur.
- Cila është arsyeja që nuk i përgjigjen lojtarët një ndeshjeje të kombëtares, qoftë kjo edhe miqësore?
- Një pjesë kanë probleme me klubet dhe më vjen keq për këtë. Mund të përmend Dallkun, Telin, Agolli, të cilët edhe pse kanë shprehur dëshirën për të luajtur, kanë hasur në pengesën e klubeve ku luajnë. Pjesa tjetër kanë zgjedhur pushimet.
- Cili është problemi që ju shqetëson më shumë?
- Kemi problem më të madh mbrojtjen dhe qendrën në mënyrë specifike, pasi nuk e di me kë do të luaj, ndoshta do të jetë Bici e Arapi, por gjithsesi e kam shumë problem këtë sektor të skuadrës, aq më tepër përballë një skuadre si Argjentina.
- Po mesfusha dhe sulmi?
- Mesfusha mund të ketë zgjidhje, ashtu si dhe sulmi, ku do të vijnë Kapllani e Bakaj. Por në fund të fundit, ç’na duhet sulmi përballë këtij kundërshtari?
2 milionë euro është shifra që ne duhet të paguanim, nëse do të kërkonim ndonjëherë një ndeshje miqësore me Argjentinën, në një periudhë normale, jashtë çdo aktiviteti.
60 mijë euro ka marrë FSHF nga kjo ndeshje miqësore. Pasi ka kërkuar 200 mijë euro në fillim, kanë pranuar shifrën prej 60 mijë eurosh dhe të gjitha shpenzimet paguhen nga pritësit.
20 qershori është dita e flamurit e Argjentinës, një festë kombëtare për nder të Manuel Belgranos, krijuesit të flamurit argjentinas. Kjo festë festohet gjithmonë të hënën e tretë të muajit qershor.
Në Prizren, pas 32 vitesh
“Më kujtohet ky stadium. Këtu kam qenë në vitin 1979, kur drejtoja skuadrën e Boracit nga Banja Luka. Dolëm barazim (0-0) me Lirinë”, - ka thënë Kuzhe me të mbërritur të martën, pak pas orës 17:00, në Prizren, ku ka ndjekur një ndeshje miqësore.
Liria në atë kohë ishte pjesëmarrëse e Ligës së Parë “B”, në ish-Federatën Jugosllave. Ai, më pas ka ndarë kujtimet edhe me aktorët e asaj ndeshjeje, me ish-futbollistët, Behjadin e Bedredin Gjinali si dhe me Rexhep Gaxhollin.
Shëtel: S’ka oferta konkrete për Salihin
Trajneri i Rapidit të Vjenës, Peter Shëtel, ka komentuar në mediat austriake situatën ku ndodhet Hamdi Salihi, i cili thuhet se nuk do të jetë më pjesë e skuadrës vjeneze sezonin që vjen. Shëtel thekson se për Salihin, pavarësisht zërave, nuk ka ardhur ndonjë ofertë konkrete dhe për rrjedhojë përgatitjet për sezonin e ri do të nisin duke planifikuar edhe sulmuesin kuqezi në skuadër (kontrata me Rapidin i përfundon në verë të 2012-ës).
“Jemi në kohë merkatoje që do të thotë se çdo ditë mund të lexojmë për largime dhe afrime lojtarësh. Është folur shumë edhe për Salihin, por në klubin tonë nuk ka ardhur asnjë ofertë konkrete.
Kemi dëgjuar se ka interesim për të nga Sosho dhe Dinamo e Kievit. Ne do t’i nisim përgatitjet duke përfshirë në planet tona edhe Salihin, por nuk mund të them me siguri se çfarë do të ndodhë më vonë,” - është shprehur trajneri i Rapidit të Vjenës, Shëtel.
Bolonja hedh sytë nga Erjon Bogdani
Erjon Bogdani, 34-vjeçari shqiptar, i cili luan me Çezenën, mund të bëhet pjesë e Bolonjës për sezonin e ardhshëm. 8 golat e shënuar me debutuesen e Serisë A dhe thuajse të gjitha ndeshjet titullare janë tregues për formën e mirë që po kalon sulmuesi kuqezi.
Sipas zërave në merkato, drejtuesit e Bolonjës kërkojnë partnerin ideal për Marko Di Vaion dhe Bogdani konsiderohet alternativë e mirë. Gjithsesi, për momentin nuk ka asnjë lëvizje konkrete nga drejtuesit e Bolonjës për të marrë shërbimet e shqiptarit.
Cana, për një javë i thotë “po” Lacios
Mund të thuhet pa frikë që Lorik Cana do të jetë futbollist i Lacios sezonin që vjen. Sipas lajmeve të fundit që vijnë nga mediat italiane, Gallatatasaraj ka paguar 2.8 milionë euro, plus Canën, për të marrë portierin uruguajan të Lacios, Muzlera.
Ndërsa burime të sigurta pranë futbollistit shqiptar konfirmojnë se “me 90% Cana është i Lacios, por përgjigjen përfundimtare do ta japë pas një jave, për të respektuar afatin që u ka lënë skuadrave të tjera të interesuara për të.” Pas Lacios, Volfsburgu është në “pole” për të marrë Canën, pa harruar dhe skuadrat angleze Everton dhe Aston Vila.
Abete, së shpejti vizitë në Shqipëri
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Xhankarlo Abete, muajt e ardhshëm do të vizitojë Shqipërinë në kuadër të bashkëpunimit mes dy federatave respektive. Lajmin e ka konfirmuar sekretari i përgjthshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, i cili tri ditë më parë ishte për vizitë në vendin fqinj.
“Qëllimi i vizitës sime ishte vendosja e urave të bashkëpunimit mes dy fereratave, që sigurisht do ta ndihmojë shumë futbollin tonë. Homologia italiane mund të na ndihmojë në shumë aspekte, kryesisht në specializimin e njerëzve tanë (trajnerë, gjyqtarë etj).
Së shpejti në Tiranë do të bëjë një vizitë presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Abete, i cili do të nënshkruajë këtu në Shqipëri këtë marrëveshje bashkëpunimi,” - ka sqaruar Prodani. Kombëtarja shqiptare nuk ka zhvilluar qoftë një miqësore me Italinë, por kjo mund të ndodhë shumë shpejt.
“Sigurisht që në marrëveshjen e bashkëpunimit përfshihen edhe ndeshjet miqësore të përfaqësueseve tona. Ne kemi luajtur me moshat e Italisë, por asnjëherë me kombëtaren e madhe. Besojmë që edhe kjo ëndërr e shqiptarëve do të realizohet,” - ka vijuar Prodani.
(www.sportishqiptar.com)
No comments:
Post a Comment