Dogana e ATK mbledhin 310 milionë

Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës gjatë periudhës gjashtëmujore të këtij viti, kanë arritur t’i tejkalojnë parashikimet e mbledhjes së të hyrave. Përfaqësues të këtyre dy institucioneve thonë se kanë arritur të realizojnë rreth 40 për qind nga plani vjetor.

Megjithatë, ekspertët e ekonomisë shprehen skeptikë sa i përket realizmit të të hyrave të planifikuara. Përfaqësues të Doganave dhe Administratës Tatimore të Kosovës thonë se që nga fillimi i këtij viti kanë arritur rezultate të mira në mbledhjen e të hyrave. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilevci, thotë për Radio Evropa e Lirë se që nga fillimi i këtij viti deri më tani kanë grumbulluar rreth 310 milionë euro.

“Që nga fillimi i këtij viti, nëse krahasohet kjo periudhë me periudhën e njëjtë të vitin të kaluar, dogana deri më tani e ka tejkaluar për 45.6 milionë euro dhe kjo rritje është për 17.3 për qind. Vetëm javën e fundit, java 24, është 19 milionë euro më shumë, ndërsa e njëjta javë e vitit të kaluar ka qenë 16.3 milionë euro. Pra, do të thotë se në secilën javë kemi rritje të të hyrave”, thotë Stavileci.

Satvilevci thotë se do të bëjnë përpjekje që të arrijnë parashikimet e Qeverisë së Kosovës.

“Gjithashtu, në krahasim me cakun që e kemi për këtë vit, që është prej 830 milionë euro, Dogana e Kosovës është duke punuar që të arrijë atë cak. Dogana në krahasim e vitin e kaluar, duhet të mbledhë 130 milionë euro më shumë dhe kjo në përqindje i bie 18 për qind”, thekson Stavilevci.

Institucion i rëndësishëm për mbledhjen e të hyrave në Kosovë, përveç Doganave, është edhe Administrata Tatimore e Kosovës. Këto dy institucione mbledhin mbi 90 për qind të të hyrave të planifikuara për shtetin e Kosovës.

Zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim, kanë theksuar se që nga muaji janar e deri më datën 15 qershor të këtij viti kanë realizuar të hyrat rreth 42 për qind nga plani vjetor 2011, apo gjithsej 20 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Fisnik Reqica nga Instituti Riinvest thotë se, duke pasur parasysh kapacitetet e këtyre dy mekanizmave, objektivat e parashtruara që të tejkalohen mbi 18 për qind në raport më vitin e kaluar janë mjaft optimiste dhe mjaft të vështira të realizohen. Sipas tij, që të shihet realisht se sa kemi rritje, duhet të krahasohen muajt prej korrikut e tutje të vitit 2011 në raport me muajt e vitit 2010. “Ky evazion fiskal dhe ekonomia joformale duhet të luftohet në atë pjesë edhe këto mjete që nuk janë të interanalizuara për momentin në buxhetin e Kosovës, do të duhej të futeshin në mënyrë legale. Kjo ndoshta do të rrisë të hyrat dhe do të realizonte objektivat e qeverisë”, thekson Reqica.

Qeveria e Kosovës në buxhetin e këtij viti, nga Doganat e Kosovës, ka planifikuar të hyra 830 milionë euro, ndërsa nga Administrata Tatimore e Kosovës 270 milionë euro.

(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment