Bushati: Synojmë bashkimin e demokristianëve, ftojmë Ndokën, Lesin

Lideri historik i demokristianëve Zef Bushati lajmëroi sot mbledhjen e Kongresit të kësaj partie, ku deklaroi se do të synohet bashkimi në një parti i demokristianëve.

“Ne jemi demokristianë dhe në Kongresin tonë do t’i ftojmë të gjithë demokristianët. Do synojmë bashkimin e demokristianëve. Do ftojmë Nard Ndokën, Nikollë Lesin dhe të gjithë demokristianët e zgjedhur në pushtetin lokal”, deklaroi në fjalën e tij kryetari i Partisë Aleanca Demokristiane në mbledhjen me kryetarët e degëve të kësaj partie në rrethe.

Në rendin e ditës anëtarët e kryesisë së ADK-së diskutuan rreth rezultateve të arritura nga ADK në zgjedhjet për Pushtetin Lokal si dhe përgatitjet intensive për shtrirjen dhe organizimin e ADK-se në mbarë vendin.

Duke folur për platformën politike e organizative të ADK-së, Bushati nënvizoi se duhet ndërtuar një subjekti politik ndryshe, ku roli i kryetarit të partisë do të jetë i barazvlefshëm me rolin e çdo drejtuesi tjetër qendror e lokal.

“Kulti i kryetarit nuk do të ekzistoje tek Aleanca Demokristiane. Modeli i punës sonë është botëkuptimi kristian për njeriun si një krijesë e Zotit me vlera të njëjta, me individualitet dhe dinjitet të veçantë dhe si krijesë jo e përkryer. Mbi këtë bazë Aleanca Demokristiane angazhohet për mbështetjen e demokracisë së lirë, bazave të shtetit të së drejtës dhe të Ekonomisë Sociale të Tregut. Parimet tona janë liria, drejtësia dhe solidariteti”, tha ai.

“Kemi mjaft punë përpara, aksione politike i presin demokristianët në ditët në vijim. Demokristianët së bashku fituan rreth 80 mijë vota. Këshilltarët e ADK-së do të jenë mbështetja jonë kryesore për rritjen e rolit dhe të autoritetit të partisë sonë në bashkitë dhe komunat ku kemi fituar, por do të bashkëpunojmë edhe me të gjithë këshilltarët demokristianë, që kanë fituar në emër të dy subjekteve të tjera demokristiane”, u shpreh lideri historik i demokristianëve, Zef Bushati.

Gjithashtu në mbledhjen e kryesisë u diskutua edhe rreth përmirësimeve që do të bëhen në Statutin dhe Programin e Partisë, për të cilat u ngritën e grupet e punës.

Marrëdhënia e ADK-së me partitë simotra Kristian Demokrate të Partive Popullore Europiane ishte një ndër çështjet e mbledhjes së kryesisë së ADK-së.

Kryesia e Partisë Aleanca Demokristiane me propozim të Kryetarit të saj Zef Bushati vendosi mbledhjen e Kongresit të ADK-së në 24 Shtator 2011.

Për përgatitjen e punimeve të Kongresit u zgjodh një grup pune i kryesuar nga nënkryetari i ADK-së, Nikolin Kurti.

(noa.al)

No comments:

Post a Comment