Pagjumësinë e përcjell infarkti i zemrës

Njerëzit të cilët vuajnë nga pagjumësia kanë nga 27 deri në 45 për qind rrezik më të madh që të pësojnë infarkt të miokardit- ka treguar një studim norvegjez, i cili njëherësh paralajmëron se rreth një e treta e njerëzve vuajnë nga problemet me gjumë. “Është me rëndësi që njerëzit të jenë të vetëdijshëm për lidhjen mes pagjumësisë dhe infarktit të zemrës dhe të bisedojnë me mjekët e tyre nëse kanë simptoma”, rekomandojnë autorët, duke shtuar se problemet e zakonshme me gjumin mjekohen relativisht lehtë.

Ekipi i ekspertëve pranë Universitetit në Trondheim kanë analizuar përgjigjet e 52.000 norvegjezëve, të cilët kanë marrë pjesë në studimin kombëtar për simptomat e pagjumësisë ndërmjet viteve 1995-1997. Pas analizimit, ata kanë veçuar 2.368 persona, të cilët në 11 vitet e ardhshme kanë pësuar infarktin e parë të zemrës.

Pasi kanë marrë parasysh faktorët, si mosha, gjinia, statusi martesor, shkalla e edukimit, shtypja e gjakut, kolesteroli, sëmundja e sheqerit, pesha trupore, ushtrimet fizike, zvogëlimi i punës, depresioni dhe ankthi- shkencëtarët kanë vërtetuar se rreziku më i madh ishte tek ata të cilët kanë probleme me gjumin.

Duke i krahasuar grupet që nuk kanë pasur probleme me gjumin dhe grupet që janë ankuar për pagjumësi të përditshme, është ardhur në përfundim se rreziku ishte deri në 45 për qind më i lartë te ata që vuanin nga pagjumësia e rëndë. 
(telegrafi.com)


No comments:

Post a Comment