Kadare: Populli ynë po ribëhet europian

“Shqipëria ka qenë dhe është në Europë. Populli ynë thjesht po ribëhet europian”. Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, foli dje nga Shkodra për integrimin e vendit në Europë. Sipas tij, Europa është një orkestër ku çdo komb sjell diçka të mirë. Kadare ishte i ftuar nderi në universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, në kuadër të projektit “Dy gjuhë, një libër”. Gjatë komunikimit me të pranishmit në bibliotekën e këtij universiteti, shkrimtari Kadare u ndal te rëndësia që ka gjuha shqipe. “Nuk mund të thuhet që gjuha shqipe është e vogël, pasi e flet një popull i vogël. Kjo tezë nuk qëndron, pasi ne ndodhemi në Ballkan, ndodhemi në Europë, ku kemi popuj edhe më të vegjël se ne dhe se gjuha jonë renditet ndër 10-12 gjuhët themeltare që fliten në Europë”. Fakti se pse disa nga shkrimtarët tanë nuk e theksojnë pothuajse asnjëherë këtë, për Kadarenë është një mungesë nderimi dhe respekti ndaj gjuhës shqipe. Gjatë fjalës së tij, Kadare u ndal edhe te marrëdhëniet Shqipëri-vendet fqinje. Një fillim të mbarë e quajti ai fillimin e marrëdhënieve të mira për Shqipërinë me vendet e Ballkanit dhe me Europën. “Vendet ballkanike duhet të bashkëpunojnë në të gjitha fushat, në frymën e parimeve të Unionit Europian, kjo, me qëllim që të shfrytëzohet potenciali që kanë njerëzit në Ballkan”, deklaroi ai. Për Kadarenë, edhe Shqipëria ka gjëra të mira për të çuar në Europë. “Harmonia ndërfetare është një shembull apo fakti që Ismail Qemali në vitin 1917, edhe pse nuk ishte më kryeministër, ka qenë i pari udhëheqës shteti në Europë, i cili në një gazetë të Londrës, në emër të qeverisë shqiptare ka kritikuar genocidin e ushtruar ndaj popullit armen. Prandaj, Europa ka çfarë të marrë nga ne dhe ne kemi se çfarë t’i servirim”, ka shtuar Kadare gjatë bashkëbisedimit të tij me intelektualët e pranishëm në këtë aktivitet. Dita e djeshme ishte faza e dytë e projektit që po zbatohet nga universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në kuadër të projekteve IPA “Cross-border Cooperation Programme”, në bashkëpunim me OJQ “Prostory” nga Podgorica, OJQ “Camaj-Pipa” nga Shkodra dhe Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi. Projekti financohet nga Komisioni i Bashkimit Europian dhe ka si qëllim futjen e komunikimit të ri dhe afatgjatë në mes dy kulturave, përmirësimin e gjendjes kulturore, sociale dhe ekonomike në zonat ndërkufitare.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment