Ermir Abeshi, violinisti shqiptar merr çmim ndërkombëtar

Një tjetër artist shqiptar është vlerësuar me një nga çmimet e mëdha në shkallë ndërkombëtare. Violinisti Ermir Abeshi nga Elbasani është një nga artistët e radhës që vazhdojnë të ngrenë lart emrin e vendit të tyre. Interpretimi i tij i fundit rreth tri javë më parë do të ishte një tjetër vlerësim për Shqipërinë, vendin me të cilin Ermir Abeshi u prezantua në konkursin ndërkombëtar, organizuar në Itali. Mes 49 konkurrentëve të ardhur nga 22 vende të botës, ishte edhe djaloshi elbasanas, Ermir Abeshi. Konkursi u zhvillua në tri faza, ku në fazën e dytë u përzgjodhën vetëm 16 pjesëmarrës. Në fazën e tretë, ajo përfundimtare, konkurruan 6 pjesëmarrës, fazë kjo që përcaktoi me çmim fitues edhe Abeshin, i cili zuri vendin e dytë në shkallë ndërkombëtare. Ndërsa vendin e parë në këtë konkurs ndërkombëtar e fitoi Tarara Stefan nga Gjermania. Ky konkurs zhvillohet çdo vit në nderim të kompozitorit të madh Rodolfo Lipizer, nga fondacioni me të njëjtin emër. Ky vit ka startuar në Itali dhe pikërisht në qytetin Gorizzia. Kohë më parë, në një konkurs të tillë fitoi të njëjtin vend edhe violinisti i shquar shqiptar, Tedi Papavrami. Vendi i dytë që ka klasifikuar Ermir Abeshin, mbetet një event shqiptar, çka tregon se talentet tona shkëlqejnë në skena botërore, por pa harruar asnjëherë skenën shqiptare. Jo shumë kohë më parë, Ermiri realizoi një koncert të përbashkët me pianisten e talentuar italiane, Valentina Messa, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Pas koncerteve në shumë skena të botës, Abeshi erdhi me një recital në Tiranë, duke ngjallur jo pak interes te publiku. Ermir Abeshi e ka nisur violinën në moshën 6-vjeçare. Ka studiuar në konservatorin e muzikës “Ghedini” në Itali e më pas në konservatorin e Bostonit “New England”. Është fitues i shumë çmimeve, mes të cilave dhe “Uto Ughi”. Është një nga bashkëthemeluesit e Ansamblit të Dhomës “Artur”, me të cilin ka dhënë shumë koncerte.(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment