Lorik Cana: Të rinjtë më befasuan

“Përgjithësisht jam i kënaqur me këtë ndeshje. Mund të kishim bërë më shumë, sidomos në rastin e golit të pësuar: situata të tilla i kemi përjetuar shpesh në stërvitje por në fund, ndodhi sërish u ndëshkuam pas një devijimi në shtyllën e parë.
Elementët e rinj më pëlqyen, ndoshta tani pres diçka më shumë nga lojtarët që kanë vite që janë në skuadër. Futbollistë si Bakaj, Hyka etj duhet të rriten shpejt dhe të marrin përsipër lojën e skuadrës. Duka më kritikoi për kartonin kundër Francës? Mendoj që e ka pasur për ndokënd tjetër. Unë e kam diskutuar me të atë situatë dhe përgjithësisht ja themi gjërat në sy, njëri-tjetrit. Mendoj se e ka pasur për kartonat që kemi marrë si skuadër në Luksemburg, të cilët e ndëshkuan ekipin. Kartoni im me Francën ishte një gafë e arbitrit”.

Hamdi Salihi

“Jam i lumtur për golin që shënova, por jo edhe aq për një tjetër që humba pak minuta më pas. Jam i zhgënjyer për faktin që nuk arrita ta shtyja topin në rrjetë. Sidoqoftë ishte një ndeshje pozitive për ne, pavarësisht se nuk arritëm të mbanim fitoren deri në fund. Ndoshta prisnim një mbështetje më të madhe nga tifozeria. Jam i bindur që në të ardhmen Shqipëria do i dhurojë tifozëve rezultate pozitive në të ardhmen”

Odise Roshi

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen time. Këto dy ndeshje me përfaqësuesen u ndjeva mirë në fushë, më dukej sikur luaja prej kohësh me këtë skuadër. Ashtu si në ndeshjen me Francën u mundova të bëj më të mirën dhe mendoj se e kam ndihmuar skuadrën në njëfarë mënyre. Në të ardhmen pres që të rritem edhe më tej. Tani dëshiroj të fitoj minuta në fushë edhe me Këlnin në Bundesligë”.

Armend Dallku

“Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë. Duke përjashtuar disa minuta në fillim të ndeshjes, e morëm veten dhe dominuam në fushë. Në pjesën e dytë, nuk arritëm të dilnim në lojë, të krijonim raste dhe të vinim në vështirësi kundërshtarin. Unë pësova një dëmtim pas një goditjeje që mora në fushë”.

Andi Lila

“Sot luajta në krah të majtë dhe do të luaj përherë aty ku skuadra ka nevojë. Nuk kam asnjë problem të përshtatem në çdo pozicion në fushë. Mendoj që dhashë më të mirën edhe pse jam në një formë shumë të mirë fizike. Skuadra kishte shumë lojtarë të rinj të cilët do të dinë të rriten në të ardhmen dhe të formojnë një ekip cilësor që do të mbrojë ngjyrat e Shqipërisë në eleminatoret e ardhshme”.

Sabien Lilaj

“Në fillim të ndeshjes isha pak i hutuar. Më dukej sikur rumunët më vinin nga të gjitha anët. Më pas u ambjentova në fushë edhe sepse Lala më ndihmoi shumë për ta bërë këtë. E falenderoj kapitenin edhe për orët që ka shpenzuar duke më dhënë këshilla në stërvitje apo në grumbullim. Përshtypjet janë pozitive. Jam pak i lodhur tani, shpresoj që të ndihmoj skuadrën edhe në të ardhmen. Do e bëj këtë duke u stërvitur mirë dhe duke tentuar të luaj rregullisht në kampionatin kroat”./sportekspres/




No comments:

Post a Comment