Dy shqiptarë “luftë” me armë në kufi me Policinë greke

“Luftë” në brendësi të kufirit grek ndërmjet dy të rinjve shqiptarë dhe një patrulle të Policisë greke. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të së hënës, pak km larg kufirit shtetëror të Shqipërisë. Sipas të dhënave nga policia greke, dy të rinj shqiptarë, kanë hapur zjarr ndaj një patrulle të Policisë, në tentativë për t’i shpëtuar kontrollit të automjetit brenda të cilit kishin ngarkesë prej 125.3 kg lënde narkotike. Policia greke ka pikasur mjetin e dyshimtë në zonën e Agio Parasqevisë, në rajonin e Janinës. Mësohet se automjeti me targa greke kishte kaluar ngarkesën e marijuanës përmes Kakavijës. Në pikën kufitare dyshohet se marijuana është kaluar nga një zonë larg syrit dhe vëzhgimit të kontrollorëve grekë e shqiptarë, në një kodrinë për t’i shpëtuar kontrollit fizik. Policia e Janinës kishte marrë informacionin për sasinë e lëndës narkotike që kishte hyrë nga territori shqiptar. Ata ngritën një postbllok në zonën e Agio Paraskevisë për të ndalur trafikun e mëtejshëm të mallit. Pak para se t’i afrohej postbllokut policor, një automjet i Policisë greke përmes altoparlantëve i ka bërë thirrje mjetit në të cilin ndodheshin dy shqiptarët, të ndalonte. Por reagimi i këtyre të fundit ka qenë i menjëhershëm. Ata u janë përgjigjur thirrjeve për të ndaluar me të shtëna arme. Banorë të zonës pohuan për mediat greke se shkëmbimi i zjarrit ndërmjet policisë dhe autorëve të trafikut ka zgjatur për rreth 20 minuta, duke shkaktuar panik. Më pas, njëri nga të rinjtë, i cili ishte pasagjer, ka dalë nga makina dhe është pozicionuar duke shtënë me breshëri automatike në drejtim të patrullës policore. Policia greke nuk ka bërë të ditur nëse, si pasojë e këtij dyluftimi, kishte të plagosur në radhët e tyre. Shkëmbimi i zjarrit përfundoi pasi në vendin e ngjarjes mbërritën përforcime nga Janina. Ata arritën të arrestonin personin e armatosur, 34- vjeçarin me inicialet S.M., nga Vlora, i cili nuk mundi të dalë nga rrethimi. Ndërsa drejtuesi i mjetit arriti të largohej me këmbë, duke përfituar edhe nga errësira. Policia greke zbuloi në mjet 66 pako me marijuanë, të cilat kishin një peshë totale prej 125.3 kg. Droga dyshohet se është siguruar në Lazarat pak ditë më parë.

Mjeti i grabitur
Përveç marijuanës, në automjetin e bllokuar i gjetën përveç automatikut “Kallashnikov” edhe 21 fishekë, një instrument që shërben për prishjen e bravave të dyerve, një palë dorashka, si dhe një telefon celular. Automjeti me të cilin qarkullonin dy të rinjtë, sipas Policisë së Janinës, rezultonte i grabitur një ditë më parë në zonën e Agrinjos. 34-vjeçari nga Vlora ndodhet në paraburgim në Janinë, por ai nuk ka pranuar të pohojë identitetin e shokut të tij. Gjithsesi, Policia greke do të hetojë listën e personave që kanë kaluar në Kakavijë, për të identifikuar shoferin e mjetit.

GJIROKASTER/ PIRO NASE
(panorama.com.al)



No comments:

Post a Comment