Zbulohet arsenal luftarak pranë fabrikës së çimentos

Arsenal eksplozivi e municionesh luftarake pranë fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë.Në një distancë prej rreth një km larg fabrikës, e cila është bërë objekt i 8 atentateve me lëndë plasëse, policia zbuloi arkat me tritol e mina kundërtank, duke ndaluar dhe një person të dyshuar për ngjarjet. Vetëm tri ditë më parë, Policia e Shtetit organizoi planin e masave për aksione në zonën e Fushë-Krujës, për të parandaluar përsëritjen e rasteve të atentateve. Sipas burimeve në vendngjarje pohohet se policia ka gjetur një pjesë të arsenalit në banesën e Ylli Zallës, 34 vjeç, në fshatin Zallë, ndërsa tjetra në afërsi të banesës së tij, jashtë avllisë, në një gropë, e cila ishte mbuluar me mjete mbrojtëse për të mos u dëmtuar nga reshjet. Aksioni për zbulimin e këtij municioni luftarak është organizuar nga ana e Drejtorisë së Policisë së Durrësit, drejtuar nga vetë kryepolici Aleks Hajdari dhe forcat e komisariateve të Krujës e Fushë-Krujës. Burimet e Policisë thanë se prej tri javësh Ylli Zalla ka qenë në survejimin e policisë. Po kështu, Policia bëri të ditur se janë përdorur edhe metoda speciale për të bërë të mundur dokumentacionin e plotë të ngjarjes. Në banesën e Zallës mësohet se është gjetur një pjesë e vogël municioni, ndërsa 15 metra larg, një fuçi e mbushur me fishekë. Jo larg vendit ku u gjetën fishekët në një tub që shërbente për kullimin e ujërave, por që e kishte humbur këtë funksion, policia gjeti gjithashtu edhe rreth 300 metra linear fitil zjarrpërcjellës dhe një palë çizme. Duke vazhduar kontrollet më tej, forcat e policisë në aksion zbuluan në një gropë të rrethuar nga ferrat dhe të mbuluar me plastmas dhe mushama sasinë më të madhe të arsenalit të municionit luftarak. Nga verifikimi i materialeve të bllokuara u saktësua se bëhej fjalë për 75 kg tritol, 6 mijë kapsolla detonatore, 25 mina kundërtank, 2 predha dhe djegore, granatahedhës kundërtank, 5 mijë metra fitil zjarrpërcjellës dhe 20 mijë fishekë automatiku model 56. Policia ka shoqëruar menjëherë Ylli Zallën, si poseduesin e municioneve. Ndaj tij pritet të ngrihet dhe akuza e shkatërrimit të pronave me eksploziv, duke iu bashkuar 5 personave të ndaluar pak ditë më parë për atentatet, ndonëse nuk rezulton të ketë lidhje të afërt me ta. Prej dy muajsh, pothuajse çdo javë, persona të paidentifikuar kanë hedhur në erë shtyllat e tensionit të lartë që furnizojnë me energji elektrike fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë, më pas janë dëmtuar edhe dy ura në rrugët lidhëse tokësore të kësaj fabrike, si dhe është dëmtuar rëndë disa herë edhe linja hekurudhore që i shërben kësaj fabrike.

Arsenali i bllokuar

• 75 kg tritol
• 6 mijë kapsolla detonatore
• 25 mina kundërtank
• 2 predha dhe djEgore
• granatahedhës kundërtanku
• 5 mijë metra fitil zjarrpërcjellës
• 20 mijë fishekë automatiku model 56
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment