Flamur Keqa, drejtor i departamentit të tregtisë, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tregon se tashmë kanë dërguar ftesat për pjesëmarrje të të gjitha vendeve anëtare të këtij institucioni, duke përfshirë edhe Serbinë dhe Bosnje – Hercegovinën.
Por, Serbia dhe Bosnja që nga viti 2008, kanë bllokuar të gjitha mallrat që mbajnë vulat e Republikës se Kosovës. Mallrave me këtë vulë nuk lejohet madje as transit, të kalojnë në territorin e këtyre dy shteteve.
Zgjidhja e kësaj çështje do të diskutohet në takimin e zëvendës ministrave, pohon Keqa, dhe shton se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka paralajmëruar se do të vendosë taksë doganore prej 10 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia.
Mesi i këtij muaji, ishte paralajmëruar si afat për fillimin e zbatimit të taksave doganore, nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari- Lila.
Megjithatë, Flamur Keqa, thotë se vendimi për zbatimin e taksave varet nga rezultatet e dialogut Prishtinë- Beograd.
Republika e Kosovës, këtë vit, kryeson Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, mekanizëm ky që në 2010-ën është udhëhequr nga Serbia.
(rtv21.tv)
No comments:
Post a Comment