Prokuroria e Beratin përfshihet në skandal, akuzon familjet e varfra pse marrin ndihmë ekonomike

Prokuroria e Beratit është përfshirë në një skandal të vërtetë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Duket se ka përfunduar çështjet e mëdha penale, krimet e rënda dhe i kanë mbetur vetëm procedimet civile dhe administrative. Duke dalë jashtë kompetencave që i përcakton ligji dhe duke hyrë paralelisht në hise institucioneve të tjera siç janë bashkia, komuna, prefektura, qarku e deri te Zyra e Punës, institucioni i akuzës prej dy vitesh heton familjet e varfra përse përfitojnë ndihmën ekonomike sipas ligjit.

Nuk dihet se ku do të dalë me këtë tendencë akuza e Beratit dhe se cili është qëllimi i saj, por kjo situatë rrezikon të kthehet në një precedent të rëndë juridik. Po kështu nuk dihet nëse
Prokuroria e Përgjithshme është në dijeni të këtij fakti, kur prokurorë e gjyqtarë zvarrisin dosjet e pushojnë çështje të padrejta pa u penalizuar apo ndëshkuar, ndërkohë që në kontrovers hetojnë të varfrit përse marrin asistencat me të cilat as nuk mund të mbijetojnë dot.

Le të kthehemi në temën e mësipërme. Ka të paktën 2 vjet që Prokuroria e Beratit ka nisur hetimet në disa komuna të këtij rrethi për administratën dhe familjet që përfitojnë ndihmë sociale. Indicio ka qenë kryesisht me ankesa këshilltarësh për abuzime si vjedhjet, por që ishin mashtrime. Në vend që të hetonin këshilltarët që mashtruan se komunarët vjedhin, pasi nuk u gjet asnjë provë, prokurorët çuditërisht kanë marrë nën akuzë administratën dhe banorët që përfitojnë ndihmat sipas ligjeve.

Së fundmi mësohet nga burime të sigurta brenda këtij institucioni se të paktën 90 kryefamiljarëve të komunës Velabisht u është komunikuar akuza e përfitimit të padrejtë të ndihmës ekonomike. Një absurd pasi gjithashtu konfirmohet për agjencinë se të gjitha këto familje janë në skemën e të varfërve dhe u takon kjo ndihmë ekonomike brenda ligjit.

Po kështu punonjësit e administratës së kësaj komune kanë sqaruar prokurorinë për këtë çështje me mbështetje administrative dhe ligjore, por prokurorët pasi dështuan për dy vjet me radhë dhe të mbetur pa shteg, kanë çuar në gjyq dosjen për banorët. Mirëpo mësohet se asnjë prej institucioneve në qark nuk është ankuar për këto shkelje që cilësohen administrative, kurse prokuroria ka tejkaluar kompetencat, pasi ka të drejtë vetëm të ndjek brenda Kodit Penal dhe jo Administrativ, sepse nuk ka faktuar asnjë vjedhje. Konfirmohet nga ky institucion se në këtë komunë nuk është bërë vjedhje e ndihmave ekonomike në asnjë rast, madje administrata i ka kursyer shtetit 90 milionë lekë në mënyrë ligjore dhe korrekte.

Por pas kësaj thonë burimet, ka indicio tepër të forta politike dhe të qëllimshme që pritet të zbardhen ditët e ardhshme. Mësohet se janë edhe dy komuna të tjera në qark që prokuroria i ka shenjëstruar dhe duket se misioni i kësaj prokurorie është të dënojë njerëzit e varfër pse marrin ndihma ekonomike që në të vërtetë nuk e kalojnë shifrën e 1 mijë lekëve të reja në muaj dhe që u takojnë me ligj.

(ama-news.com)

No comments:

Post a Comment