Ishte vitit 1990 kur për herë të parë qeveria shqiptare lejoi që të organizohej një giudë turistike me 14 “arkeologë” që do të vizitonin vendet arkeologjike të Shqipërisë komuniste. 12 prej tyre rezultuan në fund të ishin gazetarë dhe reporterë të huaj, që kishin hyrë në Shqipëri “të maskuar” si turistë që kishin interes të veçantë për arkeologjinë, por në fakt misioni i tyre sekret ishte të shihnin e më pas të raportonin se çfarë po ndodhte me shtetin e vogël komunist me emrin Shqipëri.
Në ciklin e parë të ekspozitës suaj të parë në Galerinë Kombëtare në Tiranë keni sjellë Shqipërinë e vitit 1990. Si e kujton fotografi Martin Parr vizitën e tij të parë në Shqipëri?
Sikurse e dini, më 1989 ra Muri i Berlinit dhe në Shqipëri po organizohej turi i parë turistik me qëllim studimor dhe arkeologjik. Sigurisht që pjesë e këtij turi u bëra dhe unë dhe madje kërkova që të vinte me mua edhe një gazetar i gazetës angleze “Observer”. Nga 14 “arkeologë” që ishin përfshirë në listën e turistëve, rezultoi se 12 prej tyre ishin gazetarë dhe reporterë që ishin dërguar me mision të veçantë. “Zyrtarisht” të gjithë ne kishim ardhur në Shqipëri sepse kishim gjoja interes arkeologjik, por që në fakt asnjëri prej nesh nuk kishte interes për arkeologjinë, ne ishim të interesuar se çfarë po ndodhte në këtë vend që ishte i mbyllur nën regjimin komunist. Në një nga udhëtimet tona nëpër Shqipëri pamë një shenjë anës rrugës që tregonte se pak më tutje ndodhej Qyteti Stalin. Të gjithë ne shfaqëm interes për të shkuar atje dhe i thamë shoqëruesit dhe shoferit që të kthehej aty, por sigurisht ata nuk pranuar duke na thënë: “Jo, ju jeni këtu vetëm për të parë vendet arkeologjike”.
Po si arritët t’i realizonit këto foto që keni sjellë në ekspozitë?
Turi turistik ishte organizuar në atë mënyrë që ne duhej të shkonim e të vizitonim të gjitha vendet arkeologjike që ka vendi juaj. Duhej të mblidheshim në orën 9.00 të mëngjesit dhe të niseshim në vendin që kishin programuar organizatorët. Unë ngrihesha që në orën 6.00 të mëngjesit ecja rrugëve dhe bëja shkrepjet e mia. Kisha 3 orë kohë për ta bërë këtë. Të njëjtën gjë bëja edhe pasditen kur mbaronim turin.
Nuk “pikaseshit” nga sytë kureshtarë të shqiptarëve?
Sigurisht që për shqiptarët ishte diçka e pazakonte të shihnin në rrugë një njeri që në 6.00 të mëngjesit, i cili me aparat fotografik në dorë bënte shkrepje. Njerëzit më shihnin me kuriozitet sikur të vija nga një planet tjetër. Por unë përpiqesha t’i bëja fotot në momente që njerëzit nuk e kishin mendjen tek unë.
A nuk ishte pak e vështirë kjo, që ju të mos tërhiqnit vëmendjen e njerëzve?
Më ndodhi në fakt një incident atëherë. Një mëngjes, teksa kisha dalë për të bërë punën e zakonshme, më arrestojnë. Më hipën në makinë, por fatmirësisht shpëtova sepse asnjëri prej atyre që ishin aty nuk flisnin anglisht. U krijua një situatë konfuze edhe për ata vetë dhe nuk dinin se çfarë të bënin me një të huaj që në 8.00 të mëngjesit me një aparat në dorë, prandaj më kthyen sërish në hotel.
Nuk menduat se edhe mund t’ju çonin në burg?
Ndoshta edhe atë mund ta bënin, por kjo do të kthehej në një incident. Kujtoj se gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri si turistë kishim shpesh vizita edhe nga persona që vinin nga qeveria, të cilët “kujdeseshin” për ne. Besoj se e kuptoni se cili ishte interesi i tyre kryesor, por në atë kohë ata ishin të pafuqishëm ndaj nesh.
Po sot, si i shihni këto foto të Shqipërisë së 1990-s?
Sot do doja t’i identifikoja vendet që kam fokusuar në fotografi, sepse mbaj mend që kemi qenë në Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Shkodër etj., por nuk di të them se ku janë bërë këto shkrepje. Mendoj se kjo ekspozitë në Shqipëri do të më ndihmojë edhe për të identifikuar vendet, por edhe njerëzit që janë në këto fotografi. Siç i shihni, fotot janë marrë të gjitha herët në mëngjes, kur njerëzit vraponin të hipnin nëpër autobusë për të shkuar në punë, sepse nuk kishin mjete të tjera, në mëngjesoret ku burrat pinin birra që në pikë të mëngjesit, apo në furrat e bukës etj. Është dhe kjo fotoja këtu, që s’e mbaj mend nëse ishte çmendinë apo burg (shën. red. ishte spitali infektiv në Tiranën e vitit 1990). Mbase është interesant fakti që 1990-ta është kaq pranë përsa i përket viteve, por që tani duket si një epokë tjetër. Po të shihni fotot, mbase mund të identifikoni edhe të njohur. Nëse ata vijnë të shohin këtë ekspozitë dhe njohin veten e tyre në fotot e mia, unë do t’ua bëj dhuratë.
Çfarë do t’ju tërhiqte të fotografonit në Shqipërinë e 2011-ës?
Tani do të më pëlqente të fotografoja ndikimin perëndimor në jetën tuaj, sepse Shqipëria është amerikanizuar shumë. Por nuk premtoj se do ta bëj një gjë të tillë, sepse që të realizosh diçka serioze duhet kohë dhe unë kohë nuk kam për momentin Mbase mund të rikthehem ndonjë ditë, por ka shumë vende të tjera ku unë paguhem që të shkoj, ndërsa kësaj radhe në Shqipëri kam ardhur thjesht me vullnetin tim.
(www.mapo.al)
No comments:
Post a Comment