10 grabitjet me te medha te bankave ne bote

Gazeta “Tirana Observer” bazuar në shtypin e huaj, boton historitë më të famshme të vjedhjeve të bankave. Kush ishin grabitësit që shpeshherë u shpallën “armiku numër një” në vendet ku shtrinin veprimtaritë e tyre.

Jeta e tyre personale dhe planet e detajuara për vjedhjen e bankave. Arratisjet nga burgjet dhe shumat spektakolare që rrallëherë u kthyen në depozitat bankare.

1. Shqiptari grabit në mënyrë spektakolare 1.4 milionë euro
Një shqiptar dhe dy shtetas grekë janë arrestuar dje prej policisë greke nën akuzën e grabitjes me armë të një banke. Sipas policisë greke, tre të arrestuarit akuzohen se kanë kryer një ndër grabitjet më spektakolare të kryera ndonjehere ne bankat greke dhe pikërisht bankën në Aeroportin e Athinës, ‘Elefterios Venizelos’, i cilësuar si vendi më i ruajtur në Greqi. Policia thotë se një dite përpara grabitjes, një femër, identiteti i së cilës mbetet i panjohur, njoftoi punonjësit e bankës për riparimin e bankomatit të vendosur jashtë bankës. Telefonuesja u dha punonjësve edhe emrat e teknikëve dhe orën e riparimit. Një ditë më vonë, shtetasi shqiptar i arrestuar tashmë, u paraqit në hyrje të bankës dhe pasi u tregoi punonjësve të bankës badge-n e kompanisë private që riparon bankomatet, hyri në ambientet e brendshme të bankës. Në vazhdim 32 vjeçari nxorri një pistoletë dhe pasi lidhi dy punonjësit dhe drejtorin e bankës, zbrazi me shpejtësi 1.430.000 euro cash, 31.000 dollarë dhe 18.000 paund britanik. Mbasi grabiti paratë, 32-vjeçari doli i qetë prej bankës dhe u largua nga aeroporti me një taksi, pa harruar më parë të pyesë policët e shumtë që gjendeshin në korridorin e aeroportit, se ku mund të gjente një taksi. Arrestimi i tre të dyshuarve u bë mbas informacioneve në rruge operative. Gjatë kontrollit të kryer në banesën e 32-vjeçarit dhe të dashurës së tij greke, në lagjen Eksarqia të Athines, u gjeten 750 mijë euro dhe një sasi dollarësh dhe paundësh britanike. Ngjarja i kushtoi vendin e punës gjithë drejtuesve të policisë së aeroportit ‘Elefterios Venizelos’.

2. Bonnie and Clyde
Ky çift ka qenë subjekt i shumë filmave e këngëve. Më e fundit është ajo e kënduar nga këngëtarja Beoynce me të fejuarin e saj Jay-z. Bonnie Parker (1910 – 1934) dhe Clyde Barrow (1909 – 1934) ishin grabitës bankash me nam, të cilët udhëtuan nëpër pjesën qendrore të Shteteve Bashkuara gjatë periudhës së Depresionit të Madh. Aktet e tyre ishin të njohura në mbarë vendin. Ata tërhoqën vëmendjen e shtypit amerikan dhe lexuesve gjatë asaj periudhe, e cila shpesh herë cilësohet si “era e armikut publik” ndërmjet vitit 1931-1935. Edhe pse ata mbahen mend si grabitës bankash, Bonnie dhe Clyde zakonisht preferonin të grabisnin dyqane të vegjël apo qendrat e karburantit të vendosura buzë rrugës. Ka shumë versione për njohjen e tyre, por mbi një pikë të gjithë bien dakord: ishte dashuri me shikim të parë. Bonnie dhe Clyde u vranë më 23 maj 1934, në një rrugë të shkretë, pranë Luizianas nga katër policë teksanë e dy nga Luiziana.

3. Albert Spaggiari
I thirrur nga shokët Berti, krimineli francez njihet si truri i grabitjes së bankës “Societet Generale” në Nisë, në vitin 1976. Megjithëse ai kishte krijuar një jetë komode, ajo i dukej e mërzitshme dhe prandaj i hyri rrugës së krimit. Me anë të një tuneli dhe të bashkëpunëtorëve të tij, në një fundjavë, kur Franca festonte “Ditën e Bastilles”, ai grabiti në “Societete Generale” 400 kuti depozite dhe vodhi rreth 60 milionë franga. Në disa kuti, Spaggiari dhe njerëzit e tij gjetën edhe fotografi nudo të VIP-ave të vendit, të cilat i ngjitën në muret e bankës, kështu kushdo që hynte mund t’i shihte. Ata lanë edhe një mesazh në muret e bankës: “Pa urrejtje, pa dhunë, pa armë”. Ky ishte mesazhi i Spaggiarit për botën, dhe ai e konsideronte veten më shumë se një hajdut ordiner. Pas arrestimit të një prej bashkëpunëtorëve të tij, policia arrin edhe tek Spaggiari. Atë e arrestojnë sapo kthehej nga Lindja e Largët, ku kishte shkuar si fotograf gjatë vizitës të kreut të bashkisë së Nisës. Më pas arratiset nga dritarja e gjykatës, ndërsa i kishte çuar gjykatësit një dokument të kodifikuar duke i tërhequr vëmendjen me të. Në vitin 1989, trupi i tij i dorëzohet së ëmës dhe vdekja e tij cilësohet në rrethana të mistershme.

4. 1998, vjedhja e Bankës së Amerikës
Në vitin 1998, një gangster i quajtur Ralph Guriano vendosi të grabisë Qendrën Tregtare Botërore të Bankës së Amerikës. Ai kishte një person të brendshëm me të cilin bashkëpunoi, të quajtur Salvatore Calciano, i cili kishte punuar në këtë vend për 20 vjet. Kështu një kamion u parkua në garazhin e bankës, dy persona qëndruan në kamion, ndërsa të tjerët të armatosur dhe të maskuar sulmuan dy roje të sigurisë, të cilët ishin duke transportuar paratë e nga kati i 11-të i ndërtesës në parkingun e saj. Sulmi ndodhi në ashensor kur banditët arritën ta ndalonin atë dhe të futeshin brenda tij, duke i neutralizuar dy rojet. Pas kësaj grabitësit morën 10 çantat e mbushura me para dhe i ngarkuan në kamionin që ishte duke i pritur në garazhin e ndërtesës. Sasia e parave që ndodheshin brenda çantave ishte gati 3 milionë dollarë.

5. Valerio Viçei
Grabitësi italian hyri në historinë si autori i një prej vjedhjeve më të mëdha të bankave. Në 12 korrik 1987 ai është autori i grabitjes së depozitave bankare “Knightsbridge Security Deposit” në Londër, Angli. Ai arriti të grabisë gati 40 milionë stërlina angleze dhe 68 milionë dollarë, shumë që e barabartë me kursin e sotëm është gati 200 milionë dollarë. Vjedhjen ai e realizoi në sajë të bashkëpunimit me të fejuarën e drejtorit të bankës, të cilën ai kishte vetëm pak kohë që e kishte zënë të dashur. Valerio Viçei u arrestua vetëm një muaj pas grabitjes së tij, më 12 gusht 1987, pas një ndjekje spektakolare me makina midis tij dhe policisë angleze. Gjatë ndjekjes së policisë Valerio Viçei ishte nën drejtimin e një “Ferrari Testarossa”. Pas vendimit të gjykatës angleze, ai u ekstradua në Itali, ku më 18 prill të vitit 2000 ai vritet nga policia italiane gjatë një tentative tjetër të tij për të grabitur.

6. Tyrone Conn
Tyrone Conn grabiti bankën e parë në jetën e tij, në moshën 16-vjeçare. Po aq sa zgjati edhe “karriera” e tij kriminale, në të cilën u ballafaqua me të paktën 30 akuza dhe mori dënimin me 47 vite burg. Conni ishte 24 vjeç në ’91-shin, kur u arratis nga burgu në Kanada, pasi la shënimin në qelinë e tij “Kam shkuar për peshk”. Në maj të 1999-ës, i armatosur me një pistoletë Conni vodhi bankën “Colborne”, të njëjtën bankë që po vidhte pas arratisjes në ’91-shin. Por “fluturimi” i Connit nga drejtësia mbaroi dy javë pas arratisjes. Policia e rrethoi në shtëpinë e një mikut të tij të burgosur. Uniformat blu u përpoqën të negocionin me Connin për 90 minuta. Ndërkohë, ai përgjigjej se nuk do të dorëzohej për asnjë lloj arsye. Sipas policisë, Conni vrau veten për të mos u dorëzuar. Në atë moment ai ishte në telefon me gazetaren e CBC-së, Theresa Burke, me të cilën kishte një shoqëri prej 5 vitesh, që kur ajo i kishte bërë një intervistë në burg. Një dyshim tjetër mbi fundin e tij lidhet me mundësinë që arma t’i jetë shkrepur nga pakujdesia.

7. Banda Bonnot
“Banda e Bonnotit” ishte një grup kriminal francez që vepronin në Francë dhe në Belgjikë në vitet 1911-1912. E përbërë nga anëtarë, të cilët identifikoheshin si ilegalë, banda përdorte teknologji të fundit, përfshirë automobila dhe pushkë të avancuara, të cilat ende s’ishin futur në policinë franceze. Shtypi u referohej atyre thjesht si “Banditët e makinave”, por më pas banda u quajt “Banda e Bonnotit” pas një interviste që dha Jules Bonnot në zyrat e gazetës më popullore të përditshme “Petit Parisien”. Dominimi i Bonnotit brenda grupit, më vonë u riforcua nga vdekja e tij e bujshme gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë. Grabitja e parë e bandës ishte në bankën “Societe Generale” në Paris, në dhjetor 1911. Ata i ikën policisë me një makinë që e kishin vjedhur 1 javë më parë. Grabitësit, Bonnot, Octave Garnier, Eugene Dieudonne, ndanë së bashku 5126 franga. Banda kishte “nderin” të ishte e para që përdorte makinë në skenën e krimit. Më pas vazhduan me të tjera vjedhje e krime. Shpërblimi i policisë për informata rreth tyre shkoi në 800 mijë franga. Historia e bandës u përshtat si film në kinema në vitin 1969.

8. Andre Stander, Afrika e Jugut
Historia e kapitenit të policisë dhe një prej hajdutëve më të mëdhenj të bankave, Andre Stander u shndërrua nga kinemaja amerikane në një film i cili u shfaq në vitin 2003. Andre Stander ishte një oficer i lartë policie dhe shërbente në departamentin e vrasjeve dhe të grabitjeve në Johannesburg, në vitet ‘70. djali i një prej gjeneralëve më të njohur të Afrikës së Jugut, Andre Stander filloi të grabiste banka në mesin e viteve ‘70. Grabitjet ai i kryente gjatë pushimit të drekës që ai kishte kur kryente shërbimin. Menjëherë pas grabitjes ai kthehej në skenën e krimit si oficer policie për të hetuar grabitjen. Ai u arrit të zbulohej për krimet e tij vetëm pasi kishte kryer 30 grabitje bankash. Por, megjithëse u arrestua dhe u dënua me 75 vjet burg në vitin 1980, ai arrin të arratiset nga burgu, duke u larguar më pas në SHBA. Në vitin 1984 ai vritet në Florida gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë amerikane.

9. Andreas Bernd Baader
Ai ishte një nga liderët e parë të organizatës gjermane të Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe. I lindur në Mynih Baader, i kishte lënë studimet dhe i ishte futur rrugës kriminale para se të përfshihej në organizatë. Ai ishte një nga të paktët anëtarë të lëvizjes terroriste, i cili nuk e kishte ndjekur universitetin. Ai përshkruhej si tip i dhunshëm dhe provokativ. Në ’68-ën, ai arrestohet së bashku me të dashurën e tij dhe dënohen për vendosjen e një bombe në një dyqan në Frankfurt. Pas dënimit, ai arratiset nga burgu, por kapet sërish në prill të vitit 1970. Baader bashkë me bandën e tij kaluan disa kohë në kampin e trajnimit në Jordani dhe më pas u kthyen në Gjermani. Ai merrej me vjedhje bankash dhe me vendosjen e bombave në ndërtesa në vitet 1970-1972. Më 1 korrik 1972 ai dhe shokët e tij u kapën pas një shkëmbimi zjarresh në Frankfurt. Pas një greve të gjatë në ’74-ën, ku njëri prej grevistëve vdiq, filozofi Zhan Pol Sartri e vizitoi Baader në Stammheim. Më vonë ai e përshkruante atë si një njeri “tmerrësisht budalla”. Në vitin 1977, sipas policisë lokale, Baader dhe dy bashkëpunëtorët e tij u vetëvranë. Në 2002-in, drejtori Christopher Roth bëri një film rreth Baaderit dhe i dha emrin e kriminelit famëkeq.

10. Attila Ambrus
Attila Ambrus njihet për një sërë vjedhjesh në Hungari. Vjedhjen e parë e kreu në një zyrë poste në vitin 1993. Pas këtij “suksesi”, Ambrus kreu 27 vjedhje bankash, zyrash postare, agjenci udhëtimi, të cilat u mbyllën me arrestimin e tij në vitin 1999. E shprehur në vlerë monetare, vjedhjet e tij arrinin vlerën e 1 milionë dollarëve amerikanë. Ai u bë i njohur me nofkën “Grabitësi Whiski”, sepse shpesh ai shfaqej duke pirë në një pab para se të kryente vjedhjen. Megjithëse më vonë ai mbante armë, Ambrus nuk e përdori atë asnjëherë gjatë grabitjeve. Ai ishte i famshëm për maskimin që bënte, për lulet që u dërgonte femrave para se të kryente vjedhjet dhe për shishet me verë që ua dërgonte policëve. I njohur gjerësisht në popull, në kohën e arrestimit të tij në 15 janar të vitit 1999, një flamur me stampën “Grabitësi Whiski” valëvitej në stadiume edhe disa vite më vonë. Ai u dënua me 17 vjet burg, por u arratis gjashtë muaj më pas me anë të çarçafëve, telave elektrikë dhe lidhëseve të këpucëve. Ai u kap sërish pas një vjedhjeje, ndërsa u kthye të merrte qenin. Historia e Ambrus është bërë subjekt i një libri dhe pritet të bëhet film, ku rolin e Ambrus do e luajë Johny Deep.



No comments:

Post a Comment